Ndërron jetë Hugo Chavez

05/03/2013 23:00

Ndërron jetë në moshën 58-vjeçare presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez.
Ishte ora 16:25 në Caracas, apo 22:55 me orën tonë. Lajmi u mësua nga
zv/presidenti Nicolas Maduro, i cili fillimisht, përmes një fjalimi
drejtuar kombit, foli “për orët e vështira”, duke nënkuptuar se gjendja e
udhëheqësit venezulian ishte e rëndë.

Ai prej ditësh merrte frymë përmes një tubi dhe mëngjesin e së martës gjendja u përkeqësua, nga një infeksion i ri në rrugët e frymëmarrjes.

Ministri i Informacionit, Ernesto Villegas, kishte paralajmëruar për gjendjen, “pas një kimioterapie shumë të fortë”. Ditë më parë, gazeta spanjolle “ABC” shkruajti se rabdomiosarkoma, apo kanceri nga i cili vuante, ishte në fazën e metastazave, të cilat i kishin pushtuar një të tretën e mushkrisë.

Më 11 dhjetor ai iu nënshtrua ndërhyrjes së katërt dhe të fundit, pas shpalljes së sëmundjes në qershor të vitit 2011. Zv/presidenti Maduro u shpreh i sigurt se sëmundja e Chavez-it është pjesë e një komploti të armiqve të Venezuelës.

Ai foli për ekzistencën e një plani për ta destabilizuar Venezuelën, si dhe për ngritjen e një komisioni special shkencëtarësh, të cilët mund të konfirmojnë tezën e tij dhe, ndoshta, për të nxjerrë paralele me vdekjen e udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat.

Sipas Kushtetutës, kreu i Kongresit, Dioasdadho Kabejo, do të marrë detyrën e presidentit të përkohshëm, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Ai e mori presidencën në 1998 dhe në tetor të vitit 2012 fitoi edhe një mandat tjetër 6-vjeçar.

Hugo Chavez, një udhëheqës karizmatik dhe i ashpër, e përçau opinionin brenda dhe jashtë Venezuelës. Për përkrahësit, ai ishte një president reformues, një mbrojtës i socializmit që sfidoi elitën politike dhe u dha shpresë të varfërve.

Kritikat e ashpra kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës e bënë të fitojë miq, mes udhëheqësve të majtë të Amerikës Latine. Gjithashtu përdori rezervat e mëdha të naftës, të vendit të tij, për ta rritur influencën në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa për kundërshtarët politik, Hugo Chavez ishte autokrati i modelit më të shëmtuar, veçanërisht me përpjekjen për të krijuar “shtetin-një partiak” dhe duke mposhtur çdo kundërshtar të tij.

Merren masa “për të mbrojtur popullin”!

“Sapo kemi marrë informacionin më të vështirë dhe më tragjik se… Presidenti dhe Komandanti ynë, Hugo Chavez, ndërroi jetë sot më 16:25”, tha zëvendës presidenti Maduro, në një deklaratë për televizionin kombëtar dhe, në përpjekje për të përmbajtur lotët, Maduro i bëri thirrje kombit të vihet në radhë pas vdekjes së liderit të tyre.

Ai tha se qeveria ka shpërndarë në të gjithë vendin forcat e armatosura dhe policinë “për të shoqëruar dhe mbrojtur popullin tonë, si dhe për të garantuar paqen”. Më herët, ai njoftoi se kishte dëbuar dy diplomatë amerikanë nga vendi, me justifikimin se kishin spiunuar ushtrinë venezueliane.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhej se ajo do të mbronte sovranitetin, integritetin dhe sigurinë e kombit. Ajo do të mbetet besnike ndaj zëvendës presidentit dhe parlamentit, duke nxitur popullin të ruajnë qetësinë.

SHBA-të konfirmojnë largimin e atasheve

Nicolas Maduro akuzoi SHBA-të për komplot kundër qeverisë venezueliane, teksa dy atashe ushtarakë amerikanë janë dëbuar.

Ai tha se një atashe i Forcave Ajrore të Amerikës, David Delmonaco, kishte spiunuar ushtrinë venezueliane dhe kishte vetëm 24 orë kohë për t’u larguar nga vendi.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Venezuelës, Elias Jaua, vetëm pak çaste më vonë bëri të ditur se kishte dëbuar një atashe të dytë ushtarak të Forcave Ajrore, Devlin Kostal.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, Lejtnant-Kolonel Todd Breasseale, konfirmoi më vonë se Kolonel Delmonaco ishte “në rrugë e sipër drejt SHBA-ve”.

“Ne refuzojmë tërësisht deklaratën e qeverisë venezueliane, në lidhje me përfshirjen e SHBA-ve në ndonjë tip konspiracioni për të destabilizuar qeverinë e Venezuelës”, tha Breasseale. “Për më tepër, ne refuzojmë absolutisht akuzat specifike të lëshuara nga qeveria venezueliane kundër atasheut të Forcave Ajrore, David Delmonaco, si dhe ndaj ndihmës-atasheut Devlin Kostal”.

Kolonel Breasseale konfirmoi se asistenti Devlin Costal, i cili ndodhet aktualisht në SHBA, nuk do të rikthehet më në Venezuelë.

Gjatë ditëve të fundit, opozita kishte dënuar atë, që vet ata e quajtën si mungesë të qartësive mbi situatën e Chavez-it. “Mungesa e informacioneve të sakta shqetëson venezuelianët dhe i hedh ‘benzinë zjarrit’ ndaj zërave të jashtëm”, tha Ramon Guillermo Aveledo, nga koalicioni opozitar i Bashkimit Demokratik.

Venezuelë, shpallen 7 ditë zie. Zgjedhjet brenda 30 ditësh

Ministri i Jashtëm venezuelian, Elias Jose Jaua Milano, deklaroi 7 ditë zie pas vdekjes së presidentit Chavez, duke shtuar se trupi i tij do të qëndrojë në zyrat e shtetit, deri ditën e premte, kur do të zhvillohet edhe funerali i tij.

Zëvendës presidenti, Nicolas Maduro, do të mbajë postin e presidentit të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen brenda 30 ditëve të ardhshme, siç njoftoi Jaua.

Sëmundja nuk lejoi Chavez-in të rimerrte postin e presidentit, pas rizgjedhjes së tij për një mandat të tretë në tetor, teksa presidenti i Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello, parashikohej se do të caktohej si president i përkohshëm.

Gjithsesi, ai nuk ishte prezent mes liderëve politikë dhe ushtarakë, të cilët shoqëronin zëvendës presidentin Maduro, kur ky i fundit shpalli vdekjen e Chavez-it.

Vajza e Chavez: Të ndjekim shembullin e tij

Maria Gabriela Chavez, një nga vajzat e presidentit venezuelian, i cili ndërroi jetë në Caracas, i ka besuar Twitter-it kujtimin për të atin.

Në një mesazh të shkurtër, vajza ka kërkuar të ndiqet shembulli i Komandantit: “Duhet të vazhdojmë të ndërtojmë atdheun”.

Në faqen “Maby80”, vajza e Hugo Chavez-it shkroi: “Kam mbetur pa fjalë. Përjetësisht faleminderit! Forca, duhet të ndjekim shembullin e tij: duhet të vazhdojmë të ndërtojmë atdheun! Lamtumirë baba!”.

Top Channel