Kush ishte Hugo Chavez?

06/03/2013 00:00

Hugo Rafael Chavez Frias lindi më 28 korrik të vitit 1954 në shtetin e Barinasit në Venezuelë. Ishte një nga shtatë fëmijët e një familje mësuesish të varfër. Arsimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje, ndërsa më pas u hodh në Akademinë Shkencore Ushtarake në Karakas.

Aty Chavez do të shndërrohej në një njohës të mirë të politikave të majta dhe me figurat revolucionare amerikano-latine si Simon Bolivar apo Che Guevara. U diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1975. Përfundimi i akademisë kishte formuar në idetë e tij të majta, përfshirë këtu edhe atë që ushtria kishte të drejtë të rrëzonte cdo qeveri politike që nuk punonte për shtresën e varfër të popullit.

Në vitin 1981 u caktua pedagog në të njëjtën akademi ku kishte përfunduar edhe vetë studimet, pozicion që e shfrytëzoi për të doktrinuar studentët me idetë te tij të majta. Shpejt u shndërrua në problematik për udhëheqësit e këtij institucioni, të cilët vendosën ta transferojnë në shtetin e Apures ku nuk mund të “shkaktonte dëm për ushtrinë”.

Në këtë shtet u miqësua me fiset lokale dhe nje eksperiencë e tillë do të ndikonte në politikat e Chavez-it karshi fiseve indigjene pas marrjes së pushtetit.

Në vitin 1992 Chavez udhëhoqi një përpjekje për grusht shtetit për të rrëzuar presidentin Carlos Andres Perez që e akuzonte për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit që shkaktuan protesta të mëdha në vend.

Grushti i shtetit dështoi dhe Chavez shpejt u gjend nën pranga dhe kaloi 2 vite në një burg ushtarak. Ai përfitoi nga amnistia e dhënë nga presidenti i ri i vendit nga radhët e së majtës që mundi Perezin në zgjedhjet e atij viti. Chavez u lirua me kushtin që të qendronte larg politikës sepse udhëheqja venezueliane kishte frikë nga popullariteti i tij.

Por pas lirimit Chavez formoi Partinë e Republikës së Pestë duke nisur tranzicionin e shndërrimit nga një ushtarak karriere në një politikan karriere. Lëvizjet e tij të para ishin takimet me liderët e tjerë të majtë në Amerikën Latine prej të cilëve siguroi mbështetje, vecanërisht nga presidenti kubanez, Fidel Kastro.

Mendohet se plani fillestar i Chavez ishte rrëzimi me forcë i qeverisë, por më vonë ndryshoi mendim dhe vendosi të kandidojë në zgjedhjet e vitit 1998. Në fushatë ai premtoi politika sociale revolucionare. Në një fjalim të tij ai akuzoi udhëheqësit e kompanive të nxjerrjes së naftës se jetojnë në rezidenca luksoze ku organizojnë orgji, ndërsa populli mezi siguron ushqimin e përditshëm.

Por pavarësisht fjalimeve të ashpra kundër kapitalizmit të huaj, pas fitores në zgjedhje ai emëroi në qeverinë e tij disa figura kyçe konservatore në vend të cilët e ndihmuan në ndërmarrjen e reformave të moderuara për të shmangur kaosin.

Ekonomia e Venezuelës nisi rimëkëmbjen dy vite pas ardhjes në pushtet të Chavez, kjo mbështetur edhe tek të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Pavarësisht retorikës së fortë të majtë, Chavez mbështeti investimet e koorporatave dhe kompanive ndërkombëtare në vendin e tij, por me kufizime, sidomos në sektorin naftënxjerrës.

Ai ka meritën e ndërmarrjes së një reforme sociale ku siguroi shërbim mjekësor falas si dhe programe ushqimi për të gjithë shtresën e varfër që nuk mund të siguronte bukën e gojës. Shumë shpejt ngriti rrjetin e infrastrukturës në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa rritja ekonomike vjetore vazhdonte me shifra të kënaqëshme.

Në përpjekje për të qenë sa më afër njerëzve ai drejtoi prej vitesh një program radio-televiziv ku u shpjegonte njerëzve politikat e tij dhe i ftonte ata ta telefononin drejtpërdrejtë gjatë transmetimit të emisionit.

Në vitin 1999 Chavez propozoi një sërë ndryshimet në sistemin e udhëheqjes. Ndër to ishte zgjatja e mandatit të presidentit nga 4 në 6 vjet, zgjerimin e kompetencave të tij si dhe ndryshime të tjera në Asamblenë Kombëtare, organi tjetër ligjvënës në Venezuelë.

Ndryshimet u miratuan falë një referendumi të mbështetur gjërësisht nga votuesit, ndërsa në zgjedhjet që pasuan për Asamblenë Kombëtare, partia e Chavez fitoi 95 përqind të vendeve. Po sipas këtyre ndryshimeve në vitin 2000 duhej të zhvilloheshin zgjedhjet e reja presidenciale, të cilat Chavez i fitoi me 59 përqind të votave.

Politikat e tij nisën të krijojnë armiqësi brenda dhe jashtë vendit. Pas sulmeve të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara ai akuzoi këto të fundit se po luftojnë terrorin me terror. Marrëdhëniet me Uashingtonin ishin në pikën më të ulët të tyre, ndërsa në vend klasa e mesme dhe ajo e pasur e shoqërisë nisën presionin për të rifituar influencën që po humbnin vazhdimisht.

Në 12 prill 2002 Chavez la pallatin presidencial pas një greve të përgjithshme në vend, por dalja në rrugë e mbështetësve të tij, kryesisht nga shtresat e varfëra të shoqërisë e rikthyen në pushtet.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2006 mori 63 përqind të votave me premtimin se politikat e tij revolucionare në mandatin pasardhës do të zgjeroheshin. Propozimi i parë i tij pas kësaj fitoreje ishte mbajtja e një referendumi që do t’i lejonte të kandidonte pakufizim për president. 54 përqind e votuesve mbështetën propozimin e Chavez.

Në tetor të vitit të kaluar, Chavez fitoi mandatin e katërt si president i vendit, mandat që nuk do ta ushtronte kurrë pasi sëmundja e rëndë që e kishte kapur që prej 2011-ës, nuk e lejoi të kryente as betimin.
 

Top Channel