BE: Kujdes tavanin e borxhit

08/03/2013 20:00

Në dokumentin e qëndrimit të BE-së për ecurinë e Shqipërisë vlerësohet edhe kriteri ekonomik. Ruajtja e stabilitetit makro-ekonomik, rritja ekonomike, megjithëse me ritme më të ngadalta, dhe politika monetare, përfshihen në aspektet pozitive. Por BE shpreh shqetësimin për borxhin e lartë publik dhe kërkon kthimin tek kufiri ligjor 60 për qind.

“Delegacioni i BE-së do të nxjerrë në pah rritjen e defiçitit fiskal në vitin 2011, që çoi në një rritje të mëtejshme të një borxhi publik relativisht të lartë, i cili vijon të tregojë një prirje afat-shkurtër. Heqja e tavanit prej 60% të borxhit publik në nëntor 2012 është një motiv për shqetësim, ashtu si dhe rritja mbi 3% e defiçitit buxhetor. Shqipëria do të ftohet të rivendosë kufirin ligjor të borxhit dhe t’i japë vëmendjen e duhur zbatimit të programit të rregullimit fiskal që do ta vinte borxhin publik në rrugën e rënies”, thuhet në dokument.

Më tej në dokument, BE vlerëson se ekonomia shqiptare vijon të përballet me probleme të shumta.

“Defiçiti vazhdimisht i lartë i llogarisë mbetet burim cënueshmërie dhe papunësia vijon të jetë vazhdimisht e lartë. Dobësitë në shtetin e së drejtës pengojnë zbatueshmërinë e kontratave, ndërkohë që çështjet pezull në fushën e të drejtës së pronës dëmtojnë investimet dhe klimën e biznesit në përgjithësi. Sektori informal dhe mbledhja e dobët e taksave mbetet një sfidë. Niveli i lartë i kredive të këqija në sektorin bankar kërkon forcim të mbikëqyrjes dhe masa të kujdesshme. Vonesat në rimbursimin e TVSH-së dhe pagesat me vonesë të kontraktorëve për shërbimet e ofruara ndaj autoriteteve të shtetit ndikuan negativisht tek biznesi dhe krijuan vështirësi me likuiditetin. Investimet në kapitalin njerëzor dhe infrastrukturë mbeten të papërshtatshme. Mungesa e diversifikimit të prodhimeve bazë në termat e tregjeve sektorialë dhe të eksportit e lënë ekonominë të pambrojtur ndaj goditjeve të jashtme”, nënvizon dokumenti.

Në lidhje me asistencën financiare të BE-së, megjithë një bashkëpunim të kënaqshëm në përgjithësi, zbatimi efektiv i projekteve të ndryshme vijon të pengohet nga probleme të veçanta.

“BE do të nënvizojë se problemet me lidhjen në kohë të shërbimeve (ujit dhe energjisë), me dhënien e masave të mjaftueshme buxhetore për shpenzimet operative dhe të mirmbajtjes, si dhe me të drejtën e pronës, dëmtojnë ende zbatimin efektiv të projekteve.BE do të shënojë vonesat e vazhdueshme në rimbursimin e TVSH-së dhe në lëshimin e certifikatave të pagesave në lidhje me zbatimin e projekteve të asistencës, dhe do ti kujtojë fort Shqipërisë detyrimet e saj në këto çështje në kuadër të marrëveshjes së Instrumentit të Asistencës të Para-anëtarësimit (IPA). Këto probleme përbëjnë rrezik për zbatimin e projekteve aktuale”, theksohet në dokument.

Ndër të tjera, BE kërkon koordinim më të mirë mes aktorëve në vend për programimin e asistencës së ardhshme financiare IPA II, në bazë të fushave kyçe që lidhen me integrimin e Shqipërisë.

Në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përveç përafrimit ligjor, BE nënvizon rëndësinë e zbatimit efektiv të legjislacionit për të dëshmuar gjurmë të prekshme provash.

Top Channel