Venezuelë, betohet zëvendës presidenti

09/03/2013 02:00

Zëvendës presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është betuar si president i përkohshëm i vendit, vetëm pak orë pas funeralit shtetëror të Hugo Chavez.

Ceremonia kryesohej nga folësi i Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello, në kryeqytetin Karakas. Chavez, i cili ndërroi jetë më 5 mars, pas një lufte të gjatë me kancerin, e kishte emëruar Maduron si pasardhësin e tij të mundshëm.

Gjithsesi, koalicioni kryesor opozitar bojkotoi betimin e Maduros, duke argumentuar se ky veprim është antikushtetues. Në arsyetimin e tyre thuhej se, bazuar te kushtetuta, folësi i Asamblesë Kombëtare duhet të ishte personi, që do të drejtonte përkohësisht vendin.

Si president i përkohshëm, Maduro duhet të organizojë zgjedhjet brenda 30 ditëve. Duke mbajtur një kopje të kushtetutës venezueliane në dorën e tij, Maduro foli në Asamblenë Kombëtare:

“Betohem në emër të besnikërisë absolute ndaj komandantit Hugo Chavez, se ne do t’i bindemi dhe do të mbrojmë këtë Kushtetutë Bolivariane, me dorën e hekurt të popullit të lirë”.

Më herët gjatë së premtes, venezuelianët i dhanë një lamtumirë emocionale Hugo Chavez-it. Maduro tha para vajtuesve se Chavez, i cili udhëhoqi vendin për 14 vite, mbetet “i pamposhtur, i pastër dhe i gjallë përgjithmonë”.

Top Channel