Pistorius vrau në kushtet e xhelozisë?

11/03/2013 16:35

Ndërsa Oscar Pistorius, atleti më i famshëm paraolimpik në botë pret nisjen e procesit për vrasjen e të dashurës Reeva Steenkamp, prova të reja të publikuara në mediat afrikanojugore mbështesin dyshimet e një vrasje me dashje, të kryer në kushtet e xhelozisë.

29-vjeçarja Reeva, modele dhe pjesëmarrëse në disa programe televizive, u vra mëngjesin e Shën Valentinit 2013 në rrethana të paqarta nga i dashuri i tij, 26-vjeçari Pistorius.

Në seancën për masën e arrestit, atleti pranoi autorësinë e vrasjes, por këmbënguli se kishte qëlluar katër herë në drejtim të Steenkamp, pasi e ngatërroi gjatë natës me një grabitës.

Megjithatë, ndërsa gjatë ditës Pistorius i kërkoi zyrtarisht Gjykatës së Pretorias që edhe masa e tij e sigurisë të lehtësohet, duke lejuar udhëtimin jashtë vendit gjatë pritjes së gjykimi, ish-i dashuri i Reevas dha një dëshmi tronditëse në mediat vendase.

Warren Lahoud, i përfshirë në import-eksportin e perimeve, ishte pesë vjet partner me Reevën dhe pas ndarjes, kishte mbetur në rrethana të ngrohta miqësore me të.

”U takova me Reevën dy ditë para ngjarjes tragjike. U ulëm në një kafe dhe pas 20 minutash, Oscar e telefonoi. Ai e dinte raportin tonë dhe unë e kisha takuar edhe dy herë në të shkuarën. Marrëdhënia ime me të ishte korrekte, por nuk m’u duk normale kur pa kaluar 15 minuta të reja, e ritelefonoi. Atëherë e pyeta (Reevën) nëse kishte diçka që nuk shkonte me Pistoriusin, por ajo tha se gjithçka ishte në rregull. Dy ditë më pas ndodhi krimi”, dëshmoi Lahoud në shtypin afrikanojugor.

Ndonëse në intervistën e tij ai u shpreh i rezervuar mbi atë që ka ndodhur me të vërtetë, duke mos dashur të komentojë, Lahoud pranoi se vazhdon t’i konsiderojë dy telefonatat ndaj të ndjerës në mos si shenjë xhelozie, si të “çuditshme”.

Top Channel