12:00 Lajme e Moti
12:24 Serial TCH "Komuna e Parisit"
Programi i plote
PUBLICITET
“Shqip”: Aleancat, zgjedhjet 2013
11/03/2013

“Shqip”: Aleancat, zgjedhjet 2013
Tre muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, emisioni i përjavshëm i çdo të hëne, “Shqip” nga Rudina Xhunga, vendosi në qendër të vëmendjes skenarët politikë në zhvillim dhe aleancat e mundshme, të shpallura dhe ato që po diskutohen në prapaskenë.

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, politologu Henri Çeli dhe analisti Lorenc Vangjeli, debatuan për rreth 90 minuta mbi temat më të nxehta të momentit.



Propozimi për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç

Tema e parë e trajtuar në “Shqip”, ishte ajo që dominoi debatin e së hënës, pasi kryeministri Berisha propozoi që mosha e votimit, nëse konsensusi i palëve do ta lejojë, të ulet në moshën 16 vjeç. Një mendim i tillë, u gjykua si interesant dhe i vlefshëm për t’u gjykuar nga zoti Çili. “Është një ide për t’u konsideruar. Nuk më duket si diçka e pamundur, biles më duket një avantazh, një nxitje për pjesëmarrjen në politike e një gjenerate që voton ose përfaqësohet pak. Nga ana tjetër, gjykoj që do të ishte një avantazh mbase për Ramën, gjykuar nga forumet që shprehin një lloj përkrahje nga grupmoshat. Sidoqoftë, mendoj se mbi të gjitha kjo do të ishte një mënyrë e mirë për të afruar këtë brez me politikën dhe ofertat e ndryshme të secilës palë”.

Mospërkrahës, pavarësisht aleacës së shpallur me PD-në, ishte Shehi. “Unë gjykoj se është e parakohshme, për faktin e thjeshtë që nuk ka precedentë të tjerë në Europë, ku situata shoqërore mund të jetë shumë më e emancipuar. Ndërsa unë jam që ky lloj brezi të ri pak larg politikës, mos t’i politizojmë që në këtë moshë. Unë kam një djalë 16 vjeç dhe vajza mbush 18, e nuk dua të kenë këtë pasionin. Pastaj, nuk është për t’u shpërfillur rreziku i madh, që me këtë sistem, nëse ulet mosha e votës, të degjenerohet sistemi arsimor, me mësuesit që do të urdhërohen të sigurojnë vota mes gjimnazistëve. Unë mendoj se në tërësi, duhet të kemi një vizion më të qetë dhe shikim afatgjatë në lidhje me raportin e politikës me rininë”.

Shumë më kritikë ndaj këtij qëndrimi zotërinjtë Ngjela dhe Vangjeli. “Ky njeri, profanshkatërrues, se ka idenë se çfarë është shteti. Është gomarllëk në kuptimin sepse votimi është kombëtar dhe kapaciteti ligjor për të vepruar në Shqipëri është 18 vjeç. Asnjë 17-vjeçar nuk ka aftësi juridike, nuk ka kapacitet për të votuar sepse ja ndalon kushtetuta, që ka caktuar 18 si moshë e caktuar brenda sistemit juridik. Kjo është arsyeja përse nuk kemi parë ndonjëherë kryeministër mjek në Europë. Një 16-vjeçar, ju e dini që nuk dënohet njësoj si një 18-vjeçar, pasi nuk mban përgjegjësi ligjore të plotë”.

Me këtë konstatim polemizoi Çili, i cili ironizoi: “Po flasim sikur kryeministri po propozon një bombë bërthamore për të shuar Shqiprinë”. Ai vuri në dukje se “ka disa të drejta që nisin përpara 18 vjeç, si e drejta e femres per t’u martuar që është 16 vjeç dhe edhe të tjera. Përse votimi të mos jetë një prej këtyre të drejtave? Mosha e përgjegjësisë juridike është një debat i fortë midis juristëve të ndryshëm sot në botë”.

Megjithatë, avokat Ngjela edhe një herë më shumë theksoi se “diçka e tillë është absurde dhe e pazbatueshme”, pasi që të realizohet, duhet të ndryshojë nga bazat i gjithë sistemi juridik shqiptar, duke nisur edhe nga kushtetuta”.

Në gjykimin e Vangjelit, “Doktori ri e ri dhe hedh gurë të tillë, ngjan sikur jeton në një botë tjetër, por nuk më duket se është kaq e thjeshtë. Përveç ndalimit kushtetues, duhet të ndryshojë kushtetuta, kodi zgjedhor, dhe kodet e tjera. Ne jemi mësuar me Doktorin që bën shpallje të tilla, por kjo kalon çdo cak. Kujtojmë që disa muaj më parë i fliste fëmijëve njësoj si ai që iku nga Perëndia, Hugo Chavez. U fliste fëmijëve për mur bllokimi. Një njeri që vjen nga bisturia, por që po largohet nga politika me kazëm. Sidoqofte, eshte shume vone për këtë ndryshim. Rregullat e lojes nuk ndryshohen pasi bilbili ka rene. Tjetra, nje keqkuptim i madh, ky gjyshi i hershem i politikes, tashme me keto pajisjet e reja teknologjike i duket se mund te qendroje ende ne fron dhe te tregoje përralla qe e argëtojnë, por që lënë njëkohësisht të gjithë dynjanë pa gjumë”.

Aleanca e LZHK-së me mazhorancën aktuale

Nga studio e “Shqip”, në mënyrë eksluzive, Dashamir Shehi shpjegoi arsyet që e bënë të zgjidhte një aleancë me mazhorancën sot në pushtet, për të qëndruar në të njëjtin koalicion në mandatin e ardhshëm. “Unë jam në një koalicion me qendrën e djathtë. Kam bërë një copë rruge me këta njerëz dhe jemi të detyruar, për hir të këtij kodi që nuk është shumë i fisëm, na duhet të zgjedhim një krah. Nuk e zgjidhnim dot Ramën, edhe pse më ka bërë ftesa domethënëse dhe e falenderoj për këtë, sidomos për stimën që ka pasur gjithmonë ndaj meje. Megjithatë, këtu nuk më pëlqeu, që nuk mbrojti ato ide që kemi diskutuar prej vitesh për kodin dhe kjo marrëveshje i detyron të gjithë të futen në koalicione, me këtë krah kam bërë një copë rrugë ndaj kështu u pa e arsyeshme. Në rafshin praktik, nëse më duheshin në zgjedhjet e kaluara 20 mijë vota, tani më duhen 6 mijë për një deputet në Tiranë. E treta, shpresoj që barbazimi ndaj LZHK-së, sepse është e pamohueshme që këtu janë vjedhur dhe vota, të përfundojë pasi nuk do të ketë më arsye për t’i vjedhur kur janë votat e veta. E katërta, unë gjykoj që brenda qendrës ka akoma energji, ide dhe njerëz që mund të kontribuojnë, pavarësisht shumë kritikave, si kjo që po them për moshën e votimit. Topi? Këtë punë që bën ai prej 6 muajsh unë e bëj nga 16 vjet, ndërsa tek ai nuk shoh që po ndërtohet ndonjë shtëpi e së djathtës, por vetëm ndonjë kasolle për të futur kokën. Brenda kësaj situate jo kaq të ndritshme, zgjodhëm këtë aleancë të logjikshme”.

Aleanca e Ngjelës me socialistët

Nga ana e tij, avokat Ngjela e shpjegoi kështu aleancën e tij me të majtën për zgjedhjet e ardhshme. “Aleanca me PS është një kontratë për shtetin shqiptar. A do të ndërtohet një strehë për të gjithë, do të funksionojë ligji në Shqipëri? A do të mbarojë korrupsioni apo do të jemi si vendet e Afrikës me disa familje në pozitë dhe opozitë, një herë grabit njëra e tjertra dhe shikoni si janë. Pikëpamja ime është se ky kryeministër duhet rrëzuar me çdo mjet e çdo lloj aleance demokratike, ndaj unë aleancën e kam bërë me partinë e madhe. Nuk mund ta rrëzojë dot Topi këtë kryeministër. Përsa i përket asaj në raport me Topin, unë e kisha bërë një aleancë dhe përsa i përket mendimit tim, ai do sjellë të reja në politikën tonë. E kam thënë në një emision tjetër dhe mendoj se shefi i ardhshëm i opozitës do të jetë Bamir Topi, pasi kjo opozitë do t’i fitojë zgjedhjet. i ka rënë shansi në dorë sepse nëse bëhet lider i qendrës djathtë, do të ketë shumë persona që potencialisht në të ardhmen do të influencohen nga Topi brenda PD-së”, argumentoi Ngjela.

Garancia që jep Rama

Pjesa e dytë e Shqip nisi me analizën e kreut të PLD-së, Spartak Ngjela për garancitë që ofron koalicioni opozitar dhe kreu i këtij koalicioni, Edi Rama për shqiptarët nesër në pushtet.

Zoti Ngjela shprehu bindjen në ardhjen e opozitës në pushtet. Ai vuri në dukje nevojën e rinovimit e elitave politike. Sipas tij, në 20 vjet demokraci politika shqiptare duhej të ishte maturuar tashmë, por individë të caktuar e penguan duke djegur karrierat politike.

“E kanë fshirë karrierën politike, kanë fshirë 20 vjet karrierë politike. Në 20 vjet politika shqiptare duhet të ishte e maturuar. Me Ramën kushti i marrëveshjes sime është demokracia. Asnjë kusht tjetër. Rama flet për sistemin, ai (Berisha) flet për format, ky është avantazhi i liderit të opozitës ndaj kreut të mazhorancës”, tha zoti Ngjela.
Por për analistin Henri Çili Edi Rama është bashkëpërgjegjës për ndryshimet kushtetuese të 2008-ës dhe për zgjedhjen e një presidenti jocilësor që kemi sot.

Garancitë e Berishës. Shehi: Të ndryshojmë sistemin

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, partia e të cilit është pjesë e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit tha se vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor.

“Kemi nevojë për një reformë kushtetuese, të rithemelojmë Republikën. E djathta duhet të merret me tema të mëdha nëse do të qendrojë në pushtet. Republika e Shqipërisë ka nevojë të rithemelohet sepse sistemi nuk funksionon sic duhet. Kemi nevojë të kufizojmë mandatet sepse nuk kemi edukatë demokratike, sepse po nuk na hoqe ne nuk ikim nga karriket. Duhet një ligj të ndryshojë kodi zgjedhor që të përfaqësojë shqiptarët në parlament dhe kemi një pushtet lokal të ngatërruar, s’prodhon taksa, s’prodhon dije. Demokracia është në përgjithësi në rrezik në Shqipëri. Nuk është cështja vetëm tek Sali Berisha. Demokracia shqiptare ka vështirësi edhe me Sali Berishën edhe nëse vjen Edi Rama”, tha zoti Shehi.

Ngjela fajësoi kryeministrin Berisha si pengesën kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas tij Rama ka disa përparësi ndaj tij në këto zgjedhje.

“Të jemi realistë, Rama ka disa përparësi, s’ka përgjegjësi për të gjitha dështimet që kanë bërë qeveritë shqiptare lidhur me BE, e dyta shenjat janë që në këtë baticë që vjen mendohet që vjen e majta, nuk ka asnjë njollë në lidhje me dhunë ndaj shtetasve të vet, nuk ka asnjë konflikt me perëndimin deri më sot dhe të gjitha këto i kemi në favor të Europës së bashkuara. Nëse do të shohësh të ardhmen tënde, njeriu duhet të lërë pak menjëanë tifozllëkun. Këtij i ka ardhur shansi që vec Shqipërisë, do të emancipojë edhe dy partitë e mëdha, sic e bëri Thatcher. A e bën dot? Unë nuk jam një optimist i verbër, por të presim e të shohim!”, deklaroi Ngjela.

Analisti Lorenc Vangjeli akuzoi Berishën si fajtori kryesor i të gjitha krizave politike në vend.

“Berisha është një gjenerator i paepur i krizave, sepse në situata të tilla noton më mirë. Sot të pasurit po bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër, drejtësia është e korruptuar dhe prona është e bërë akoma më shumë çorap. Garancia se cfarë do të bëje Berisha nesër është e qartë, më keq, ndërkohë që garancitë e Ramës nuk janë as personale. PS ka një program të detajuar, dimë vizionin e tyre për ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe diferenca kryesore është qasja ndaj shtetit dhe demokracisë. Në figurën e Berishës kemi vënë re njeriun që në shumë raste ka marrë kasmën për të shkatërruar themelet e shtetit shqiptar, një njeri i gatshëm të shesë vendin për pushtetin”, tha Vangjeli.

/ Top Channel



Facebook


Më shumë nga politika
“Të shqyrtohen 100 vendime gjyqësore”
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka dërguar sërish një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkon shqyrtimin e më shumë se 100 vendimeve gjyqësore, të cilat kanë liruar nga akuzat persona me rrezikshmëri për rendin dhe sigurinë publike në vend.
ILDKP, jo më kompetencë e Presidentit
Me propozimin e disa deputetëve socialistë, mazhoranca i hoqi Presidentit kompetencën për t'i propozuar Kuvendit kreun e Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve të lartë dhe ia dha këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë.
“Dështimi do dëmtojë Shqipërinë”
Nga Strasburgu, ku eurodeputetët u mblodhën për herë të fundit, ka shprehur keqardhjen për këtë dështim edhe kryetari i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan.
Ushtria, vijojnë akuzat PD-PS
Mazhoranca dhe opozita kanë vijuar edhe të premten akuzat e ndërsjella përsa i përket përshirjes së supozuar të infrastrukturës së ushtrisë shqiptare në trafik droge.
Balla: Deklaratën e dështoi Berisha
Taulant Balla, si bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, nëpërmjet një deklarate nga kryesia e Kuvendit akuzoi opozitën për mos miratimin e deklaratës së përbashkët në fund të takimit të shtatë Shqipëri-Parlament Europian.


Lajmet kryesore

“Shqip”: Aleancat, zgjedhjet 2013 Rreziku i rikthimit të vizave
Fajon: Rritet numri i azilkërkuesve, qeveria të marre masa  
Fushë Krujë, sërish tritol komisariatit
Kore, kapiteni i tragetit kërkon falje
Çmimi i Kinës, Hamilton në pole-in e tretë
BSH: Rikthehet optimizmi në ekonomi
“Të shqyrtohen 100 vendime gjyqësore”
Më të lexuarat
Temat e ditës
Ukraina, Statusi, Irani, Akuzat për ushtrinë, Eksplozivi, Turizmi, Reforma territoriale
Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.