Venezuelë, balsamosja e Chavez, e pamundur!

14/03/2013 00:50

Presidenti i përkohshëm i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se nuk është aspak e pëlqyeshme që trupi i ish-presidentit Hugo Chavez të balsamoset.

Më herët, Maduro kishte sugjeruar që ai të balsamosej dhe të vihej për demostrim si Lenini, Ho Chi Minh dhe Mao Ce Duni. Maduro shtoi se ekspertët rusë thanë se kjo gjë është pothuajse e pamundur, pasi trupi nuk u përgatit në kohë dhe tashmë paraqet kompleksitete.

Ndërkohë, periudha zyrtare e zisë është shtyrë deri të premten. Pas vdekjes së presidentit, më 5 mars, qeveria deklaroi 7 ditë zie zyrtare. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbajti një minutë heshtje për Chavez-in gjatë të mërkurës.

Maduro, i cili garon për president në zgjedhjet e 14 prillit, komentoi mbi balsamosjen e liderit të vdekur, gjatë një fjalimi.

“Shkencëtarët rusë dhe gjermanë mbërritën për të balsamosur Chavez-in, por na thanë se është shumë e vështirë, sepse procesi duhej të kishte nisur më herët, menjëherë, pasi tani është e pamundur. Ne jemi në mes të procesit, i cili është i komplikuar”, tha ai për turmën.

Më herët, presidenti i përkohshëm tha se u zbulua një komplot për të vrarë liderin e opozitës, kandidat rival për zgjedhjet presidenciale, Henrique Capriles. Maduro tha se qeveria do të bënte gjithçka, që kundërshtari i tij të kishte mbrojtje policore.

“Plani kishte lidhje me grupin e Roger Noriega-s dhe Otto Reich në Shtetet e Bashkuara, që donin të përpiqeshin t’i merrnin jetën kandidatit për president të opozitës”. Më herët gjatë kësaj jave, zyrtarë venezuelianë thanë se do të nisnin një kërkim për të hetuar dyshimet se presidenti Hugo Chavez u vra nga agjencitë e huaja.

Ministri i Naftës, Rafael Ramirez, tha për BBC se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duheshin fajësuar për vdekjen e Chavez. Ai tha se shpreson që komisioni special do të zbulojë evidenca.

Në një intervistë për BBC në Karakas, Ramirez tha se nuk kishte dyshime, se vdekja e Chavez-it ishte një akt konfrontimi dhe i ngjashëm me atë të Yasser Arafat-it.

Top Channel