Konfirmohet Red Bull, zhgënjim total nga McLaren

15/03/2013 08:30

Red Bulli u konfirmua edhe një herë skuadra për t’u mundur, ndërsa dominoi të dy provat e lira të zhvilluara në Melburn, Australi.

Në provat e fundit përpara atyre zyrtare, ditën e nesërme, Ferrari tregoi se ka ende vend për t’u përmirësuar, ndërsa tepër zhgënjyes rezultoi McLareni.

Në provat e dyta, kampioni i botës, Sebastian Vettel u konfirmua me kohën më të mirë, 1’25”908, ndjekur nga shoku i tij i skuadër, Mark Ëebber, me dy të dhjetat.

Dy Red Bullat u ndoqën nga Rosberg me Mercedes dhe Kimi Raikkonen me Lotus, kohë që konfirmojnë se të dy këto skuadra do të jenë protagoniste të sezonit, ashtu siç ishte paralajmëruar.

Ferrari i renditur më mirë ishte ai i Alonsos, i gjashti me 8 të dhjetat më i ngadaltë. Felipe Massa u rendit i teti, me një shkëputje prej 9 të dhjetash të sekondit.

Përsa i përket McLarenit, kohët e tij ishin jashtëzakonisht të dobëta. Button, me më shumë se dy sekonda dhe Checo, me mbi 2,6 sekonda, treguan se me shumë gjasa, gara e parë e sezonit do të jetë një garë e humbur për McLarenin.

Top Channel