Përfundon pengmarrja e Rizait

17/03/2013 00:00

Plot 24 orë ka zgjatur triller-i i rrëmbimit të disa gardianëve të burgut, nga i dënuari shqiptar Alket Rizai, në burgun e Malandrinos në Greqinë qëndrore.

Në orën 19:30 të mbrëmjes së të dielës (18:30 në Greqi) ai, sapo ka parë grupet speciale të forcave të policisë të hyjnë në ambjentet, ku ai mbante peng pesë gardianë, qysh prej së shtunës në mbrëmje, është dorëzuar duke thënë: “Djema, nuk e vazhdoj më këtë punë”.

Më pas, pesë pengjet, që ai mbante, janë lënë të lirë dhe u është dhënë ndihma mjekësore. Policët grekë, që e kanë arrestuar, kanë konstatuar se Alket Rizai ka bërë bllof, përsa i përket lëndëve eksplozive. Aparati, që mbante të lidhur dhe për të cilin thoshte se është gjysmë kilogram lënde ekplozive C4, nuk ishte gjë tjetër veçse një radiokasetofon dore i mbuluar me plastelinë dhe letër ngjitëse.

“Nuk më doli bllofi si herët e tjera”, – u ka thënë ai policëve të forcave speciale, që përbëheshin nga tre grupe prej pesë vetësh dhe dy snajperash.

Për negociatat me Rizain kishte mbërritur nga Athina një grup prej pesë specialistësh, pasi, sipas policisë, ai konsoiderohej një person i vështirë për t’u thyer, që nuk kishte çfarë të humbiste, kështu që u planifikua një operacion i ri i detajuar për të shmangur gjakderdhjen dhe që u kurorëzua me sukses nga ana e policisë.

Më herët në mesditë, pas një operacioni të grupeve speciale, ishin liruar me anë të një vinçi të reparteve të zjarrëfikësve, 7 gardianë që ndodheshin në një ambjent tjetër të burgut, ndërsa në një situatë të turbullt ka mundur të largohet edhe një prej pengjeve, që mbante Rizai.

Polica po heton dy makina të dyshimta, që janë parë pranë zonës, ku ndohet burgu i sigurisë së lartë, ndërsa nuk ka ende informacion për dy të burgosurit që kanë ndihmuar Alket Rizain gjatë pengmarrjes.

Ishte tentativa e tretë për arratisje, nga i burgosuri shqiptar, pas dy përpjekjeve spektakolare në 2006 dhe 2009, kur ai është larguar me helikopter nga burgu famëkeq i Koridhalosë.

Biseda brenda burgut

Gazetari grek flet me Rizain dhe një peng: Jam i armatosur

Tre materiale zanore prej gati 13 minutash qarkullojnë prej disa orësh në mediat greke, ku me vështirësi dëgjohet biseda e një gazetari grek me të burgosurin shqiptar, Alket Rizai, i cili i kërkon menjëherë një makinë për t’u larguar nga burgu, në mënyrë që mos ketë gjakderdhje duke vrarë pengjet.

Në materialin që ka përkthyer Top Channel dëgjohet gjithashtu edhe biseda e gazetarit me një prej pengjeve, i cili kërkon dëshpërimisht që policia greke t’i japë Rizait një makinë dhe të marrë fund drama e tyre.

Vihet re padyshim gjendja tepër e tensionuar e Alket Rizait, i cili duket i vendosur për të përballuar çdo gjë. I pyetur nga gazetari grek se çfarë arme disponon, ai përgjigjet se është i armatosur me lëndë eksplozive C4 dhe 22 zare metalike, që përdoren për bombat artizanale.

Gazetari – Kemi ndonjë të re, a ju ka folur ndonjëri?

Rizai – Unë po pres, nuk më pëlcet, do pres deri sa t’u bëhet qejfi atyre. Unë kam durim. Të shohim kush do dalë i fituar në fund.

Gazetari – Nuk do t’u japësh një afat Alket?

Rizai – I kam marrë masat unë mos u mërzit.

Gazetari – Kur thua i kam marrë masat unë, çfarë nënkupton Alket?

Rizai – Do pres një ditë, dy, për makinën. Do të shohim. Nuk do t’i lë unë. Nuk dua të filloj të vras qysh tani. Të të them diçka: nuk kam ndonjë gjë me këta këtu…

Gazetari – Janë mirë pengjet me shëndet? Po ti, mirë?

Rizai – Janë të gjithë mirë, nuk i ka trazuar askush. Ja fol.

Gazetari – M’i kalo t’u flas. Mirëmbrëma, kush jeni?

Pengu – Jemi mirë të gjithë. Thjesht ju lutemi jepini një makinë, që të ikin prej këtej. Nëse do t’u jepni një makinë do të na lënë të lirë. Unë jam një prej gardianëve të burgut. Jemi edhe gjashtë të tjerë.

Gazetari – Si e ke emrin?

Pengu – Nuk dua të të them emrin tim tani, nuk është kjo çështja, por këta kërkojnë makinë, kështu që le të vijë një makinë, po lutemi kaq orë, të ikin, të na lënë të lirë, asgjë tjetër. Kaq e vështirë është kjo gjë. Kaq e vështirë është?

Rizai – Dëgjo të të them diçka. Egoizmin dhe burrërinë e tyre do t’ua tregoj unë.

Gazetari – Pse e thua këtë Alket?

Rizai – E them se hodhën këtu bomba me gaz lotsjellës dhe qëlluan. Të shohim, kush do të dalë i fituari.

Gazetari – Kanë hedhur bomba me gaz lotsjellës brenda në burg?

Rizai – Po. Hodhën dhe qëlluan me armë si trimosha nëpunësit e burgut… Do t’ua tregoj unë bijve të ku…

Gazetari – Ke granata me vete Alket?

Rizai – Jo, vetëm gjysmë kg C4 kam dhe 22 zare metalike (*bomba artizanale për shpërthim)

Cili është Alket Rizai?

U bë i famshëm pas arratisjeve spektakolare me helikopter

Shqiptari Alket Rizai është nje prej personazheve më të shumëpërfolura në Greqi, për sa i përket reportazhit policor në 15 vitet e fundit.

Me 38-vjeçarin nga Shqipëria, policia greke është marrë qysh në fillim të viteve ‘90, kur ai është akuzuar për trafik droge. Ndërsa në fillim të viteve 2000, ai është akuzuar për planifikimin dhe vrasjen e një greku, në një çështje keqkuptimi dhe dashurie, siç interpretohet nga mediat vendase.

Pas kësaj ngjarjeje, Rizai emërtohet shpesh herë si banditi shqiptar dhe arrestohet në një incident me forcat policore, në lagjen Nea Filadelfia në Athinë, dhe qëndron në burg për tre vjet.

Më pas vjen arratisja e tij e parë e bujshme me helikopter, në 4 qershor 2006, së bashku me të dënuarin grek, Vasilis Paleokostas, nga burgu i Koridallosë. Ndërsa është një nga personat më të shumëkërkuar, ai akuzohet për vrasjen e dy personave, një akt që, siç u publikua në shtyp, u urdhërua nga një prej kapove të botës së krimit në Greqi, përkundrejt një shume të majme parash.

Arrestohet në shtator të 2006, për t’u arratisur me të njëjtën mënyrë, me helikopter, nga i njëjti burg, duke turpëruar policinë greke në 22 shkurt të 2009.

Disa muaj më vonë arrestohet përsëri në Grammatiko, së bashku me të dashurën e tij greke, Aspasia Mitropia, e njohur si “Sula e Rizait”.

Gjykata e dënon me dy herë burgim të përjetshëm. Por edhe pse gjithnjë nën mbikqyrje të rreptë, gjithmonë ka pasur një mënyrë për të gjetur ato çka i duhen, si në rastin konkret, mjetet e arratisjes, megjithëse në një burg të sigurisë maksimale.

Top Channel