01:00 Lajme e Moti
01:33 Select R
Programi i plote
PUBLICITET
Opozita dhe opinioni publik
18/03/2013

Opozita dhe opinioni publik
Ilir Yzeiri - Zgjedhjet parlamentare që po afrojnë e gjejnë Shqipërinë në një situatë kaotike dhe demokracinë europiane në një krizë të thellë. Vendet e Ballkanit Perëndimor, sa herë që përmenden nga mediat e huaja, për fat të keq, përfillen si modele të mbrapshta e negative.

Para disa kohësh, e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, thoshte në një editorial të saj, se edhe Italia po preket nga sindroma e Ballkanit. Sipas kësaj analize, sindroma e Ballkanit është përjashtimi i tjetrit dhe mungesa e bashkëpunimit dhe ndarja e thellë shoqërore e nacionale.

Ne, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria e Kosova në veçanti, nuk po dimë të shfrytëzojmë rastin magjik që na është dhënë për të ndërtuar një shtet ligjor e për të instaluar shkallë-shkallë demokracinë. Përkundrazi, ne vijojmë të sillemi me mentalitetin e cubit dhe të horrit politik. Në Shqipëri është krijuar psikoza e frikshme se pushteti në këtë vend nuk ndërrohet më me votë.

Tani që ka filluar fushata elektorale, ligjërimi politik ka nisur të bëhet më agresiv dhe polarizues. Qeveria e Berishës po lëshon mesazhe se nuk ka ndërmend ta lëshojë pushtetin. Pa iu dridhur qerpiku fare, Berisha dhe cubat e tij flasin për mandatin e tretë si për një të drejtë që u takon nga Perëndia. Në ligjërimin politik të Berishës dhe të cubave të tij nuk ekziston përunjësia dhe llogaridhënia.

Në çdo vend demokratik, qeveria apo edhe opozita nuk shpallin kurrë fitoren preventive, por me përunjësi deklarojnë se këtë do ta vendosin zgjedhësit. Vetëm në Shqipëri, dhe vetëm një njeri në këtë vend, për hir të së vërtetës dhe vetëm njeriu me emrin Sali Berisha, nuk e llogarit popullin dhe zgjedhësit.

Ai, në ligjërimin e tij politik, artikulon gjithnjë e më shumë aksiomën e mbajtjes së pushtetit dhe mosdorëzimit të tij. Nga ky pikëvështrim, Shqipëria ngjan gati-gati e pushtuar nga një bandë që ka rrëmbyer pushtetin dhe, sipas saj, edhe pala tjetër është një bandë së cilës banda në qeveri nuk ia dorëzon pushtetin. Mirëpo, në këta njëzet e ca vjet në Shqipëri është krijuar edhe një hapësirë publike që, më së shumti, ushqehet nga opinioni publik dhe jo nga deklaratat e politikanëve. Opinioni publik në Shqipëri janë zërat kritikë e të shqetësuar për fatet e demokracisë, të krimit, të korrupsionit dhe të shpërbërjes kulturore të këtij vendi.

Zërat kritikë që shfaqen në media apo edhe në tribuna të tjera publike janë i vetmi oksigjen që e mban gjallë trupin e rraskapitur të demokracisë shqiptare. Në një shtet normal demokratik, opozita është më komode, se pjesën më të madhe të punës e ka kryer opinioni publik dhe asaj nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të artikulojë më me forcë ato të vërteta që opinioni publik i ka denoncuar me kohë. Dominik ëolton thotë se komunikimi politik përbëhet nga artikujt në media, debatet e politikanëve dhe sondazhet. Për fat të keq debatet që sapo kanë nisur në media mes politikanësh nuk janë një ballafaqim serioz alternativash. Në të shumtën e rasteve ato janë shfaqje mediokre të dy grupeve që grinden e zihen me një fjalor shpeshherë vulgar. Është e pafalshme që opozita të mos dalë triumfatore në këto debate. Pse? Sepse punën më të madhe në këtë ballafaqim e ka bërë opinioni publik dhe media kritike. Këtu nuk është rasti për të përmendur ngjarjet e mëdha tragjike si Gërdeci apo 21 janari, por është fjala për të artikuluar më me forcë dhe me fakte ngulmimin për të çmontuar një qeveri që sillet me këtë vend sikur të jetë një qeveri pushtuese. Po sjell vetëm një fakt. Kjo qeveri mburret vend e pa vend se ka asgjësuar bandat. Për cilat banda e ka fjalën? A nuk ishte rrugëve një kapobandë, pra a nuk ishte rrugëve ai që vrau pa iu dridhur dora komisarin e Shijakut? Tjetër? Përse nuk zbulohet krimi makabër që vrau gjyqtarin e Vlorës? Të mos harrojmë se ata që vunë rendin në Shqipëri dhe që asgjësuan bandat pas vitit 1997 për hir të së vërtetës ishin socialistët dhe ministri Spartak Poçi me shefin e krimeve Xhavit Shala. Mirëpo opozitarët kur dalin në debate bëjnë lojën e gangsterëve të qeverisë që ngacmohen me fjalë banale për gjëra që nuk kanë lidhje me demokracinë shqiptare. Tjetër, kjo qeveri po krijon mitin e rrugëve. Është mashtrimi më i madh. Hajde të nisemi nga Tirana dhe në cilindo drejtim që të udhëtojmë do të gjejmë rrugë të papërfunduara, të shkatërruara dhe të vjedhura. Në drejtim të Shkodrës, Peshkopisë, në drejtim të Elbasanit, në drejtim të Gjirokastrës. Më thoni një drejtim ku mund të shkosh pa u shqetësuar. Rrugët në Shqipëri janë një tmerr. Ndaj opozita ka fat se opinioni publik e ka larguar tashmë këtë qeveri. Opozita duhet të na tregojë se është serioze dhe e aftë që të mbajë fjalën.

Gazeta "Shqip"









Më shumë nga Komente
Si po rriten kreditet politike të LSI-së në qeverisjen “Rama”
Nga Zamira Çavo: Në gjenin tonë psiko-social kemi të trashëguar mungesën e të qenët bashkë! Shqiptarët gjithnjë “vuajnë” nga mosbashkimi, nga ndasitë dhe nuk gjejnë dot rrugën e konsensusit! Kjo ka arsyet e veta historike që nuk është vendi për t’i shpjeguar. Por faktet që na përplasen në fytyrë çdo ditë, tregojnë se sa vështirësi kemi të rrimë bashkë. Ndaj edhe Aleancat politike te ne, asnjëherë nuk e kanë mbërritur qëllimin e tyre të përbashkët! Çdo lloj aleance që niset me shumë “dëshirë”, sigurisht nga nevoja e numrave, shpejt fillon e nxjerr “gjembat e parë”, që gradualisht, shndërrohen në telin ndarës (me gjemba), mes forcave aleate.
Drejtësia, e bukura e paarritshme
Fatos Baxhaku - Është vërtet e çuditshme se si shumë shpesh, përrallat ngjasojnë aq shumë me realitetin.
Tragjeditë klasike, aktualiteti ynë (ose të shuash familjen për një fejesë)
Aleksandër Cipa - Tragjeditë e përditshme në jetën periferike dhe jo të tillë, të vendit, janë thelbi i mungesës së shpirtit social të kësaj shoqërie.
Kur kombi bëhet kaps
Fadil Lepaja - As Presidentja e as Kryeministri nuk e kanë fjalën e fundit në këtë vend.
A mund të krijojë vetveten diçka që nuk ekziston?!
Nga Artan Mullaj: Kushtetuta jonë nuk ka të sharë. Shqipëria i ka të gjitha ligjet e duhura për të pasur një shtet ligjor përveç njërit: ligjit që siguron zbatimin e rreptë, kanunor dhe të egër të ligjeve ekzistuese. A mund të hartohet një i tillë: një ligj për ligjet, një ligj mbi ligjet, një kryeligj? Një supermen, i cili do mbartte në vetvete sigurinë e zbatimit të tij?


Lajmet kryesore

Opozita dhe opinioni publik Rritet shifra e vjedhjes në BSH
Hetimet, sekret i fortë shtetëror, përfshijnë të gjithë nivelet e Bankës Qendrore
Vjedhja e bankës së shtetit
Paditet penalisht Ndrea Prendi
Dialog i ri Shqipëri-Itali
PD: Policia dhunon familjen dhe pronën e saj
Mbështetja e agro-përpunimit
Më të lexuarat
Temat e ditës
Ukraina, Lindja e Mesme, Vrasje, Reforma territoriale, Drejtësia, Siria, Trafiku i droges, Integrimi
Top Channel 2001-2014
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i permbajtjes se kesaj faqeje.