
Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik vetëm 24 orë më parë ka ngujuar familjen e 45-vjeçarit Ardjan Prrenjasi. Familjarët nuk ndihen vetëm të kërcënuar, por edhe të turpëruar për atë akt të rëndë, duke e dënuar njëkohësisht atë.
Nëna e 45-vjeçarit ndodhet në gjendje të rëndë pas marrjes së lajmit të tmerrshëm. Ndërsa vëllai dhe motra shprehen për dënimin e tij me vdekje.
“Ne jemi familje që jemi rritur me ndershmëri. Ç’të bëjmë tani? Ne kemi shumë vite që e kemi dëbuar nga familja. Të dënohet, ta varin, ta pushkatojnë, të bëjnë ç’të duan”, thotë vëllai i të arrestuarit.
Familja Prrenjasi, e zbritur vite më parë nga Mokrra, jeton në kushte të vështira ekonomike. Me mund ata mbajnë familjen gjallë, ndërsa ky lajm u dha goditjen përfundimtare.
Telefonata e parë kërcënuese ka mbërritur. “Do t’ju zhdukim si familje”, ka thënë telefonuesi, ndërkohë që familja Prrenjasi ka frikë të çojë fëmijët në shkollë.
Banorët e Përrenjasit nuk e kanë njohur 45-vjeçarin sepse familja e tij e kishte dëbuar. “T’i dënojë ligji ashpër këta lloj njerëzish. Kjo është një njollë shumë e keqe”, thotë një banor.
“Ky ka kohë që njihet për problemet, por familja e tij është e mirë. Janë njerëz të mirë. Ne atë si pamje nuk e njohim sepse ka qenë jashtë, në emigracion”, shprehet një tjetër.
Policia e Elbasanit nuk pranon të japë asnjë informacion nëse 45-vjeçari Ardjan Prrenjasi ka pasur padi të mëparshme.
Top Channel