Në zgjedhjet vendore të 24 marsit në Maqedoni, një garë e fortë mes partive shqiptare pritet të zhvillohet edhe për Bashkinë e Gostivarit.

Kjo bashki me rreth 100 mijë banorë, aktualisht drejtohet nga Rufi Osmani, lideri i partisë Rilindja Demokratike Kombëtare, që është forca e tretë politike e shqiptarëve në Maqedoni.

Z. Osmani, ka vendosur të kandidojë edhe për një mandat të ri në Gostivar, ku shpreson të fitojë që në raundin e parë.

“Oferta ime është më cilësore, është ofertë e cila do të zgjedh problemet thelbësore të trashëguara në Gostivar. Është ofertë që prej tash ka të siguruar 20 milion euro fonde financiare nga jashtë dhe brenda. Sot Bashkia e Gostivarit është bashki me zero borxhe dhe është bashki me buxhet të rritur për 100%, është bashki ku korrupsioni është zero”, shprehet Osmani.

Përballë Rufi Osmanit, për Gostivarin do të garojnë kandidati i BDI-së, Nevzad Bejta, i cili la Ministrinë e Pushtetit Lokal për këtë garë dhe Mitat Sadiku, nga Partia Demokratike Shqiptare.

Megjithë optimizmin për fitore, z.Osmani është i brengosur se dita e zgjedhjeve mund të jetë problematike.

“Mund të them me përgjegjësi se komplet komisioni bashkiak është komision ekstrem partiak i BDI-së, me njerëz që “de facto” përkrahin kandidaturën e BDI-së dhe synojnë që të keqpërdorin vullnetin e lirë të qytetarëve. Ne kemi informuar institucionet ndërkombëtare për këto rreziqe. Dita e votimeve, në vend që të jetë një feste, rrezikon të transfromohet në një ditë problematike”.

Kryetari aktual i Gostivarit, Rufi Osmani në garën për mandatin e dytë, shpreson edhe në mbështetjen e qytetarëve të komuniteve joshumicë në Gostivar, votat e të cilëve, thotë se, janë shumë për rëndësishme për fitore që në raundin e parë.

Top Channel