Të drejtën e tyre për të votuar rreth 1 700 000 qytetarë do të mund ta realizojnë në 2 976 vendvotime deri në ora 19:00.

Në koumunën Çair, të Shkupit, me shumicë shqiptare, që në orët e para të mëngjesit është vërejtur një fluks i madh i votuesve.

”Materialet na kanë arritur me kohë, procesi po rrjedh shumë mirë. Ka shumë votues dhe nuk kemi patur deri tani asnjë problem”, u shpreh për mikrofonat e “Top-Channel”, Nadire Limani, kryetare e njësisë zgjedhore 2 916 në Shkup.

Gara më e fortë në Çair zhvillohet në mes të kryetarit aktual, i cili kandidon edhe për një mandat, Izet Mexhti dhe kandidatit të Partisë Demokratike Shqiptare, Muhamed Thaçi.

Pavarësisht kush do të fitojë në zgjedhje, banorët e Çairit apelojnë që kryetari i ri të përmbush  premtimet elektorale.

”Votova për atë që mendoj se duhet votuar. Shpresoj që do të bëhet më mirë, do të hiqet ky pluhuri i verës dhe balta e dimrit. Unë banoj këtu në Çair, mendoj se trotuaret do të lirohen për këmbësoret dhe jo për automobilat”, u shpreh Adem Ademi, qytetar.

”Realizova detyrimin tim si qytetare. Votuam për një komunë dhe një të ardhme më të mirë. Premtimet që i kanë bërë politikanët presim që të realizohen. Votova për personin për kryetar që besoj se do të jetë më i miri”, tha Hatixhe Topalli, qytetare e Çairit.

Shqiptarët në këto zgjedhje mund të fitojnë 15 komuna, ndërsa gara më e fortë mes partive shqiptare do të zhvillohet në Tetovë dhe Gostivar.

Në Kërçovë dhe Strugë po zhvillohet garë entike, pasi gjitha partitë maqedonase kanë dalë me kandidat të përbashkët për të pamundësuar fitoren e shqiptarëve në këto dy komuna.

Këto zgjedhje lokale po monitorohen nga 8 400  vëzhgues vendorë dhe 410 vëzhgues të huaj.

Top Channel