Shqiptarët e Strugës janë të bindur se me dalje masive në votime, do të ruajnë drejtimin shqiptar të këtij qyteti.

”Situata është dukshëm delikate dhe faleminderojmë televizionin tuaj që është këtu në gjithë ato momente të vështira që ka kaluar ky qytet. Mendoj që nuk do të ketë problem në lidhje me këshillin dhe me kryetarin e komunës nëse shqiptarët dalin masivisht në zgjedhje dhe uroj, pavarësisht cilin opsion ata vendosin, le të dalin sa më shumë në zgjedhje”, deklaroi Agim Poshka, këngëtar dhe qytetar i Strugës.

”Nëse nuk dalim në votime sigurisht do ta humbim Strugën, do të dalim masivisht dhe do të fitojmë”, shprehet një tjetër qytetar.

Rreth 65 për qind e popullsisë në Strugë është shqiptare. Por, partitë maqedonase, duke pasur parasysh faktin që një numër i madh i struganëve punojnë në shtetet e Europës Perëndimore dhe SHBA, janë unifikuar rreth kandidaturës së Vladimir Koçovskit, për t’ia marrë shqiptarëve udhëheqjen e këtij qyteti.

Për dallim nga maqedonasit, partitë shqiptare kanë dalë me dy kandidatë. Bashkimi Demokratik për Integrim ka kandiduar për Strugën, Arben Llabenishtin, ndërsa Partia Demokratike Shqitpare, Zijadin Selën.

Megjithatë, kjo ndarje nuk i shqetëson shqiptarët të cilët thonë se, nuk do të lejojnë që Struga të udhëhiqet nga një kryetar joshqiptar.

”Duhet të dalin shqiptarët masivisht, të dëshmojnë peshën e votës, që të mos humbet Struga, sepse këto janë trojet tona dhe nuk janë trojet e tyre. Një i huaj të vendosë për trojet tona është gjë e papëlqyer”, thonë qytetarët.

Ndërkohë, edhe në Kërçovë është paralajmëruar dalje masive e shqiptarëve ne zgjedhje.

Mijëra shqiptarë janë kthyer në vendlindje, për të votuar kandidatin Fatmir Deharin, i cili ka gjasa reale që të bëhet kryetari i parë shqiptarë në Komunën e Kërçovës.

Retorika e demshme nacionaliste

Efekti i aleancave entike në garën zgjedhore për Kërçovën dhe Strugën do të ndjehen pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe analistëve në Shkup, krijimi i blloqeve entike dhe fjalori nacionalist i përdorur nga kryeministri Nikolla Gruevski kundër kanidatëve shqitparë, do të kenë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndërnetike.

Muhamed Murtezi, i organizatës joqeveritare “Qendra për mirëkuptim dhe bashkëpunim institucional”, thotë: “Konsiderojmë që kjo është një lojë me zjarr, pavarësisht se fushatat parazgjedhore janë të tilla që rrisin emocionet dhe politikanët duan të shesin një patriotizëm të tepëruar, të gënjeshtër sipas nesh, por mendoj se ata shumë pak po mendojnë për pasojat e mundshme që mund të ketë një retorikë e tillë. Ne kemi shqetësimin se një fjalor i tillë mund të dëmtojë edhe më tepër bashkëjetesën në Maqedoni”.

Njohësit e rrethanave në Maqedoni vlerësojnë se gjatë fushatës, disa politikanë me fjalime nacionaliste, qëllimisht provokuan raportet ndërnetike, për të tërhequr sa më shumë elektorat.

”Ndarja e tillë kanë më tepër për synimin që të fitohen komunat sa më lehtë. Sa mund të jetë një gjë e tillë e ndershme në politikë, është çështje tjetër. Fjalori nacionalist që përdoret në rrethana të tilla është pa dyshim, një letër e tyre se ata përmes kësaj mund t’i fitojnë zgjedhjet”, shtoi Murtezi.

Përqëndrimi vëmendjes tek gara entike për Kërçovën dhe Strugën, la nën hije parregullsitë e shumta që u evidentuan gjatë fushatës elektorale.

Më skandaloze ishin ofertat, një nuse për një votë dhe skandali me votuesit me 14 mijë votuesit fiktiv që u denoncua nga opozita maqedonase.

Top Channel