Abuzimi me energjinë elektrike

24/03/2013 00:00

Instituti i Statistikave njoftoi se abuzimet me energjinë arritën vitin e kaluar rekordin historik duke kërcyer në 3.25 miliardë kilovat/orë.

Sipas Instat, kjo është sa 40.7% e të gjithë energjisë elektrike që u hodh në rrjet nga burimet e brendshme dhe importi. Rekordi negativ i humbjeve lidhet me përkeqësimin e fortë të situatës gjatë vitit të kaluar. Sipas Instat, krahasuar me vitin 2011, vjedhjet e energjisë u rritën me 50 për qind ose 1.1 miliardë kilovat/orë, një tregues ky që dëshmon për kaosin financiar ku ndodhet sistemi energjetik.

E përkthyer në vlerë monetare, shifra e abuzimeve me energjinë për vitin 2012 arrin në 300 milionë dollarë, ose rreth 2.5 për qind e prodhimit të përgjithshëm bruto. Nëse do të arkëtohej edhe vetëm gjysma e këtyre parave, sistemi energjetik shqiptar, jo vetëm që nuk do të ishte në krizë, por mund t’i krijonte hapësira qeverisë për të ulur çmimet për qytetarët që e paguajnë atë.

Në terma financiarë abuzimet me energjinë janë vjedhja më e madhe në ekonominë kombëtare. Për shkak të këtij fenomeni që vazhdon prej vitesh i gjithë sistemi është zhytur në kolaps financiar, me një zinxhir borxhesh që ka prekur të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi tek shpërndarja. Në fillim të këtij viti, Enti Rregullator i Energjisë largoi me forcë gjigandin çek, CEZ, duke e rikthyer atë sërish në administrim shtetëror, ndërsa KESH, kompania publike që menaxhon prodhimin prej vitesh, është praktikisht e falimentuar dhe mbijeton vetëm falë subvencioneve apo kredive të qeverisë.

Disiplinimi financiar i sektorit energjetik ka qenë një nga premtimet e forta të qeverisë që në mandatin e parë të saj në 2005-ën. Por tetë vite më pas, reformat që kulmuan me privatizimin e shpërndarjes në vitin 2009, jo vetëm që nuk e zgjidhën krizën e sistemit, por e kanë zhytur atë në një situatë që sipas FMN-së kërcënon qëndrueshmërinë financiare të vendit.  

Top Channel