Pronat e shqiptarëve të Shkupit, edhe një herë janë bërë prè e huliganëve maqedonas. Mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:00, një grup huliganësh kanë thyer xhamat e një dyqani dhe kanë demoluar disa makina private të shqiptarëve, në lagjen Nerez të Shkupit.

Banorët shqiptarët të kësaj lagje sqarojnë se turma ishte e përbërë prej 50 personash, të cilët për disa minuta kanë sulmuar me gurë edhe shtëpitë e shqiptarëve, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

“Rreth ishin tubuar këtu dhe kanë gjuajtur me gurë. I kanë thyer disa makina dhe një dyqan. Banorët u larguan, sepse ata bënin dëm edhe nëpër shtëpi. Kjo nuk është hera e parë. Para dy viteve njësoj ka ndodhur. Makinat e maqedonasve nuk janë thyer, por vetëm të shqiptarëve. Kjo gjë sikur është porositur nga ndokush”, tha Selim Ismaili, banor i Nerezit.

“Që nga shtëpia e pash që kishte një turmë. Duket se maqedonasit, pas një ndeshje hendbolli, janë kthyer dhe kanë shprehur këtu revoltën e tyre. Nuk është hera e parë, që ndodh kjo. Herën e kaluar kanë hyrë edhe nëpër shtëpi. Mbrëmë huliganët maqedonas i kanë thyer edhe xhamat e disa dyqaneve dhe kanë ikur”, tha Ramadan Mehmeti, një tjetër banor i Nerezit.

Huliganët maqedonas kanë lëshuar edhe parulla antishqiptare. Gjatë sulmit nuk ka pasur persona të lënduar. Policia ka konfirmuar rastin dhe ka njoftuar se ka ndaluar katër persona, të përfshirë në këtë ngjarje.

Lagja Nerez gjendet në komunën e Karposhit në Shkup, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë maqedonasit. Shqiptarët e Nerezit, edhe në të kaluarën, kanë qenë viktimë e dhunës së huliganëve maqedonas.

Top Channel