Nën masa të papara sigurie janë zhvilluar në të gjithë Greqinë paradat për festën e 25 Marsit, 192-vjetorit të fillimit të revolucionit për pavarësi kundër Perandorisë Turke dhe festës së madhe të ortodoksisë.

Mbi 4.000 policë dhe dhjëtera agjentë civilë kanë mbyllur hermetikisht qendrën e Athinës dhe askush përveç të ftuarve nuk mund të ndiqte nga afër paradën tradicionale.

Kjo, pasi ekzistonte frika e konfrontimeve si ato që ndodhën gjatë festave kombëtare të dy viteve të fundit, kur dhjetëra qytetarë të indinjuar çanë rrethimin e forcave të rendit për të protestuar ndaj masave të rrepta antikrizë, jo vetëm në Athinë, por edhe në qytetet e mëdha të vendit, në disa prej të cilave paradat janë anulluar.

Në mesazhin drejtuar popullit, kryeministri Samaras midis të tjerah ka thekskuar se grekët do të mund t’ia dalin vetëm nëse qëndrojnë në këmbë dhe gjithnjë të bashkuar.

Por situata ka qenë e tensionuar pothuajse në të gjitha qytetet greke ku zhvilloheshin paradat. Policia ka shpërndarë në Athinë disa grupime të vogla me anëtarë të partive të majta, që kanë dashur të parakalojnë duke protestuar pranë tribunës ku qëndronte udhëheqja e vendit.

Në qytetin e Selanikut dhjetëra grekë mbanin pankarta dhe hidhnin parrulla kundër trojkës dhe masave të egra të saj jo vetëm në Greqi, por edhe në Qipro, ndërsa kanë protestuar para konsullatës gjermane.

Në Iraklio të Kretës dhe në Ilia të Peloponezit ka pasur gjithashtu incidente të vogla të pjesëmarrësve në paradë, që janë shmangur nga policia.

Në Rodos gjatë konfrontimeve të një grupi protestuesish me policinë, ndërsa hidhnin parrulla ndaj politikanëve te vendit, një qytetar ka qëlluar me grusht shefin e policisë vendase, ndërsa një grua ka sulmuar me thikë një prej këshilltarëve të bashkisë.

Top Channel