Serbia do të hartojë propozime më konkrete për Bashkësinë e Komunave Serbe, e cila është kthyer në pengesë, për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Për serbët ka qenë e papranueshme, ajo që është ofruar deri tani, dhe pritja e Beogradit është që, të ofrohet një lloj minimumi për të pranuar marrëveshjen më 2 prill, kur pritet finalizimi i marrëveshjes.

Të gjithë krerët e shtetit janë mbledhur të hënën, për të diskutuar edhe një herë për Kosovën dhe kanë vendosur, që do të hartojnë në detaje ofertën e tyre, kurse për çdo marrëveshje të tillë do të vendosë Kuvendi i Serbisë.

Këshilltari i presidentit serb, Marko Gjuriç, ka thënë se nuk e di nëse do të arrihet marrëveshja, siç është pritur, në takimin e ardhshëm në Bruksel, por dialogu vazhdon.

Serbia ka kërkuar, që komunat serbe të kenë kompetenca ekzekutive, në mënyrë që të kontrollohen nga vetë serbët, kurse më 16 prill, Serbia do të mësojë nëse përfiton datën e fillimit të bisedimeve për integrim në Bashkimin Europian, e cila varet nga Kosova.

Top Channel