Arvizu: Siguroni zgjedhje të lira

27/03/2013 00:00

I ftuar në tryezën e rrumbullakët me temë “Arsimi dhe punësimi rinor”, organizuar nga FRESSH, ambasadori i SHBA-ve Alexander Arvizu ka përsëritur edhe një herë kërkesën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke cituar deklaratën e ish-sekretares Hillary Clinton në Parlamentin shqiptar.

“Gjatë vizitës së saj të fundit në muajin nëntor, ish-sekretarja e Shtetit Clinton u kërkoi udhëheqësve politikë shqiptarë “të siguroni që zgjedhjet tuaja të ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme dhe që të shihen si të tilla nga e gjithë bota”. Në radhë të parë, kjo duhet në mënyrë që populli i Shqipërisë të mund të ketë besim tek rezultati dhe tek ju si udhëheqësit e tyre”, deklaroi Arvizu.

Sipas tij, një element tjetër i zgjedhjeve demoraktike është pjesëmarrja e të rinjve. “Shumë shpesh kemi parë se si të rinjtë, si qytetarë, lihen në stolat e prapëm të politikës”, theksoi Arvizu.

Më tej gjatë fjalës së tij ambasadori ameikan u shpreh se: “Punësimi, arsimimi, shteti ligjor dhe korrupsioni janë gjëra që ndikojnë mbi të rinjtë, po aq sa mbi çdo segment tjetër të shoqërisë dhe udhëheqësit e mençur politikë nuk e harrojnë këtë”.

Duke u ndalur në rolin e shoqërisë civile, Arvizu deklaroi se: “Shoqëria civile është një element vendimtar për zgjedhjet demoraktike. Përfshirja e tyre ndihmon në garantimin që partitë politike po e dëgjojnë zërin e popullit”.

Top Channel