Edhe vëllai i Pistorius në gjyq për vrasje

27/03/2013 16:35

Vëllai i atletit Oscar Pistorius, i cili po përballet me një proces gjyqësor pas dyshimeve se vrau të dashurën e tij, u paraqit të mërkurën në gjykatë, në seancën e radhës të një gjyqi paralel, ku edhe ai po ndiqet për akuzën e vrasjes.

Carl Pistorius rrezikon që të takohet me vëllain brenda qelive të burgut së shpejti, pasi akuzohet se vrau një 36-vjeçare, ndërsa po drejtonte makinën e tij në mënyrë të papërgjegjshme, në vitin 2008.

Carl ka mohuar të gjitha akuzat. Procesi i tij, i cili ndodhet në fazën përfundimtare, ishte pak i njohur për mediat, deri kur vëllai i famshëm, pjesëmarrësi i parë paraolimpik në Lojrat e zakonshme Olimpike dhe fitues i shumë medaljeve të arta në gara paraolimpike dhe të zakonshme, u bë i njohur si vrasës.

Tashmë, procesi i Carl ka fituar një vëmendje të madhe mediatike, ndërsa në mënyrë cinike, mediat afrikanojugore përshkruajnë vëllezërit Pistorius si “vëllezërit që vranë të dy gabimisht”.

Aktualisht, Oscar Pistorius është lënë i lirë me kushte, deri në nisjen e gjyqit, në të cilin ai rrezikon burgimin e përjetshëm, nëse vërtetohet se vrau me dashje të dashurën Reeva Stenkamp.

29-vjeçarja Reeva, modele dhe pjesëmarrëse në disa programe televizive, u vra mëngjesin e Shën Valentinit 2013 në rrethana të paqarta nga atleti 26-vjeçar.

Në seancën për caktimin e masës së arrestit, Pistorius pranoi autorësinë e vrasjes, por këmbënguli se kishte qëlluar katër herë në drejtim të Steenkamp, pasi e ngatërroi gjatë natës me një grabitës.

Top Channel