Berisha, replika me biznesin e huaj

28/03/2013 00:00

Në një takim me investitorë të huaj, kryeministri Berisha u përplas me Dhomën Amerikane të Tregtisë lidhur me klimën e investimeve të huaja në vend.

“Ne do donim të ftonim bizneset amerikane në Shqipëri, për të prezantuar teknologji, shërbime e mallra të reja. Por ne nuk kemi pasur sukses në këtë përpjekje, për shkak të klimës së pafavorshme”, deklaroi përfaqësuesja e DHA.

“Kjo deklaratë është e pabazuar në realitetin shqiptar. Shqipëria në vitet e fundit ka marrë investime mbi 1 miliard dollarë. Duhet të zhvishemi nga pasionet dhe të analizojmë me gjakftohtësi situatën. Unë e pranoj se Shqipëria nuk është parajsë, por unë jam këtu pikërisht për ta përmirësuar”, replikoi Berisha.

Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi kryeministrit Berisha që konsultimi me bizneset të mos mbetet një formë premtimi, por të kryhet një ndryshim ligjor ku të përcaktohet një periudhë 30 apo 60 ditore konsultimi për ndryshimet ligjore që kanë të bjnë me biznesin.

“Konsultimet janë për t’u përmirësuar, por nuk mungojnë. Gjatë këtyre muajve ka pasur konsultime, unë ju garantoj se zëri juaj dëgjohet. Unë kam verifikuar se ju jeni përfshirë në këshillin konsultativ të Ministrisë së Ekonomisë. Ju jeni në atë hapësirë ku diskutohen problemet”, deklaroi Berisha.

Një tjetër shqetësim i paraqitur nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë ishte kontrolli dhe rikontrolli i tatimeve, si dhe gjobat e mëdha të vëna prej këtij organi.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha tha më tej se investimet e tyre janë vendimtare për rritjen e punësimit në vend dhe shtoi se, qeveria e tij do të jetë qeveria e taksave të ulëta.

Top Channel