Një vajzë 26-vjeçare humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri mes forcave të policisë greke dhe një bande të armatosur në Korinth, 80 kilometra larg Athinës.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e mbrëmjes së të premtes. Sipas policisë, tre persona të armatosur, që autoritetet thonë se mund të jenë shqiptarë, hapën zjarr ndaj efektivëve të vënë në ndjekjen e tyre pak pasi kishin grabitur një tavernë.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti e vdekur në vend 26-vjeçarja që po kalonte rastësisht në zonë. Të shtënat zgjaten për disa minuta. Në vend u gjetën dhjetëra gëzhoja kallashnikovi, ndërsa policia njoftoi se edhe një automjet i saj u qëllua prej grabitësve.

Në zonë mbërritën menjëherë dhjetëra forca të ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa gjatë gjithë natës janë zhvilluar operacione për kapjen e autorëve.

Autoritetet mendojnë se autorët mund të jenë një pjesë e shqiptarëve të arratisur pak ditë më parë nga burgu i Trikallas, ose ndonjë bandë e ciganëve që jetojnë në zonën e Korinthit.

Policia deklaroi se do të zhvillojë ekspertizë balistike për të gjetur se nga cila armë janë lëshuar plumbat që goditen 26-vjeçaren, pasi dyshohet se mund të jetë qëlluar aksidentalisht prej forcave të saj. Greqia ka probleme tepër të mëdha me kriminalitetin.

Janë më tepër se 500 banda të regjistruara në vend, ndërsa thellimi i krizës ekonomike ka shtuar së tepërmi krimet siç janë vjedhjet dhe grabitjet e armatosura.

Top Channel