Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni, që zhvillohet më 7 prill në ato 35 komuna ku nuk u zgjodhën kryetarët më 24 mars, pritet të sjell një përballje të fortë mes shqiptarëve dhe maqedonasve për Strugën.

Dy kandidatët pretendentë për të drejtuar në katër vitet e ardhshme këtë qytet po zhvillojnë takime intensive me qytetarët. Fushata po zhvillohet edhe në rrjetet sociale, ku në emër të kanidatit maqedonas Vllado Koçovvski është bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje.

Madje, i është bërë thirrje edhe diasporës maqedonase që të kthehet në vendlindje për të votuar, me qëllim që pas tetë viteve, udhëheqja e Strugës t’i merret shqitparëve.

Por, kandidati shqiptar nga PDSH-ja, Zijadin Sela është i bindur se do të dalë fitues në balotazh me rivalin maqedonas. Ai thotë se Struga do të vazhdojë të drejtohet nga shqiptarët, pasi ata përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë qytet.

“Programi jonë edhe në raundin e dytë ngelet i prandryshueshëm dhe është gjithëpërfshirës për gjithë qytetarët e Strugës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare. Kur jemi te programi, dua të shpreh edhe një mesazh tek popullata, sidomos tek oponenti politik. Dua t’u them se demokracia është vullneti i shumicës. Shumica në Strugë dihet se kush është. Prandaj, çdo tendencë për të prishur këtë vullnet të shumicës nuk i shërben demokracisë”, ka thënë Sela.

Kanidati shqitpar ka ftuar faktorin ndërkombëtar të jetë i pranishëm në Strugë ditën e votimeve, për të ndjekur nga afër zgjedhjet dhe për të pamundësuar keqpërdorimin dhe manipulimin e mundshëm të votave nga pala maqedonase.

Top Channel