Parlamenti slloven ratifikoi me vota të plota marrëveshjen që i hap dritën jeshile Kroacisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Pro hyrjes së Zagrebit në BE votuan 82 nga 82 parlamentarët sllovenë prezentë në seancë, në kohën që ratifikimi kërkonte 2/3 e votave të ligjvënësve vendas.

Seanca e votimit u ndoq nga dy të ftuar specialë në parlamentin slloven, nga kryeministri kroat, Zoran Milanovic dhe Ministrja e Jashtme Vesna Pusic.

Sllovenia ishte pengesa kryesore e anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian. Zagrebi dhe Ljubjana, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë u përfshinë në një kontest mbi kufirin detar e tokësor përkatësisht në Gjirin e Piranit dhe në vijën kufitare në lumin Dragonja.

Mosmarrëveshja coi në bllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të Kroacisë nga dhjetori i 2008-ës deri në tetor të 2009-ës. Në 4 nëntor të po këtij viti dy vendet nënshkruan një marrëveshje që sheshoi kontradiktat e tyre për ujërat territoriale përkatëse dhe për vijën kufitare në tokë.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian, për cdo vend që dëshiron ta bëjë atë, përvec kritereve ekonomike dhe politike që duhet të plotësojë, kalon edhe nëpër organet ligjvënëse të vendeve anëtare të BE-së. Pas ratifikimit nga të gjitha këto vende, atëherë vendi kandidat mund të anëtarësohet me të drejta të plota në Union.

Top Channel