Partia Demokratike Shqiptare akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se ka falsifikuar rezultatin e zgjedhjeve nga raundi i parë në komunën Cair të Shkupit.

Sipas kandidatit të PDSH-së për Cairin, Muhamed Thaçi, manipulimet që BDI bëri ditën e zgjedhjeve u vërtetuan edhe nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

“Më 24 mars, BDI vodhi votën tuaj. Pas ankesës sonë në KSHZ, në bazë të argumenteve të cilat kemi dorëzuar, u hapën kutitë, e pas këtij veprimi u konstatua se numri i votave brenda kutive nuk përputhet me rezultatet e shpallura”, tha Muhamed Thaçi.

Këtyre akuzave të PDSH-së i është kundërpërgjigjur kryetari aktual i Cairit, Izet Mexhiti, i cili garon për mandatin e tretë në këtë post.

“Përgjigjen më të mirë do e marrin më 7 prill. Për PDSH është përgjigja më adekuate dhe nuk është dicka e jashtëzakonshme, pasi që kur është formuar si parti i humb zgjedhjet në vazhdimësi dhe cdo herë dikush tjetër e ka fajin. Fajin duhet ta kërkojnë te vetvetja, te lideri i tyre se pse humben zgjedhjet”, tha Izet Mexhiti.

Në komunën e Cairit me shumicë shqiptare do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve, pasi Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka pranuar ankesën e PDSH-së për parregullsi në 13 vendvotime më 24 mars.

Ndërkohë, të martën KSHZ shkarkoi anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal në Cair, për shkak të parregullsive gjatë përpilimit të rezultateve nëpër procesverbalet e vendvotimeve në këtë komunë.

Top Channel