Serbia ndodhet në linjën e kuqe të arritjes së fundit për nisjen e
bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrim, por lajmet e fundit nga
Brukseli vështirë se do ta nisin këtë garë.

Krerët e shtetit serb do të takohen menjëherë për të diskutuar për bisedimet dhe Kosovën në zyrat e presidentit serb, ndërkaq pas ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit, Aleksandar Vuçiç që ishte pjesë e bisedimeve, nuk dihet se si do të zhvillohet situata brenda politikës serbe.

Shtypi serb e ka vlerësuar dështimin e raundit të tetë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë si një fund të bisedimeve dhe në pengesë reale për integrimin e Serbisë. Profesori i shkencave politike në Beograd, Predrag Simic, ka thënë se të gjithë janë dëshpëruar për mos arritjen e një marrëveshjeje, por sipas tij, edhe pse zyrtarisht është fundi i bisedimeve, do të ketë mundësi të reja.

“Ditëve të ardhshme mund të kemi një takim në mes të politikanëve nga Prishtina dhe Beogradi, por mund të aktivizohen edhe oficerët për lidhje”, ka thënë Simic. Por, ajo që ka ngelur e paqartë është se ku nuk janë përputhur qëndrimet në Bruksel dhe cilat kanë qenë pikat refuzuese.

Top Channel