Këshilltari i presidentit Tomisllav Nikoliç, Marko Gjuriç ka deklaruar se, parashikimet ogruzeza mbi rrjedhën e bisedimeve u vërtetuan dhe se tani lidershipi serb duhet të marrë vendime tejet të vështira.

Duke folur pas një takimi që vetë Nikoliç ka zhvilluar të mërkurën me ekipin negociator për takimin e tetë Thaçi-Daçiç, Gjuriç ka bërë me dije se në ditët e ardhshme do të informohet edhe opinioni publik.

”Situata vërtetë është e vështirë. Ashtu sikurse e kemi paralajmëruar javën e kaluar, edhe në ditët e ardhshme udhëheqja e shtetit do të ketë rastin të marrë vendime jashtëzakonisht të vështira dhe për këtë do të informojmë me hollësi opinionin publik”, ka thënë Gjuriç, i cili ka marrë pjesë në bisedimet e së martës në Bruksel.

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivoje Mihajloviç deklaroi më herët se pengesa kryesore për arritjen e marrëveshjes është qëndrimi i fortë i Prishtinës.

“Prishtina nuk dëshiron të japë disa fuqi ekzekutive për Asociacionin e Komunave serbe, që do të mundësonin ekzistencën serbe në Kosovë”, theksoi ai.

Zëdhënësi tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, linja e palëkundur e Prishtinës duhet të zbutet, me qëllim që të arrihet paqja jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.

Ai theksoi se dialogu do të vazhdojë, ndoshta jo në mënyrë direkte dhe shtoi se, roli vendimtar i BE dhe SHBA duhet të konsistojë në afrimin e qëndrimeve të dy palëve.

Top Channel