Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se deri të martën e
ardhshme Beogradi duhet të deklarohet nëse pranon ose jo atë që i është
ofruar në Bruksel.

I cituar nga mediat serbe, Daçiç ka shprehur një lloj dëshpërimi, pasi sipas tij në këtë situatë Serbia nuk ka asnjë mbështetje.

“Bashkësia ndërkombëtare është në anën e Prishtinës dhe ne kemi mbetur të vetëm”, ka thënë Daçiç.

Një ditë më parë një deklaratë të ngjashme bëri edhe këshilltari i presidentit Tomisllav Nikoliç, Marko Gjuriç, i cili tha se tani lidershipi serb duhet të marrë vendime tejet të vështira.

Duke folur pas një takimi që vetë Nikoliç ka zhvilluar të mërkurën me ekipin negociator për takimin e tetë Thaçi-Daçiç, Gjuriç bëri me dije se në ditët e ardhshme do të informohet edhe opinioni publik.

”Situata vërtetë është e vështirë. Ashtu sikurse e kemi paralajmëruar javën e kaluar, edhe në ditët e ardhshme udhëheqja e shtetit do të ketë rastin të marrë vendime jashtëzakonisht të vështira dhe për këtë do të informojmë me hollësi opinionin publik”, tha Gjuriç, i cili mori pjesë në bisedimet e së martës në Bruksel.

Ndërsa zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivoje Mihajloviç deklaroi se pengesa kryesore për arritjen e marrëveshjes është qëndrimi i fortë i Prishtinës.

“Prishtina nuk dëshiron të japë disa fuqi ekzekutive për Asociacionin e Komunave serbe, që do të mundësonin ekzistencën serbe në Kosovë”, theksoi ai.

Top Channel