Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që shihej si njeri i shpresës për të ndihmuar në zgjidhjen për Kosovën, me sa duket ka zgjedhur stilin e konklavave të Vatikanit dhe është tërhequr në vetmi deri në vendosjen për negociatat.

Serbia ndodhet në gjendje tensioni të thellë për të dhënë përgjigje në Bruksel nëse pranon ose jo nënshkrimin e marrëveshjes për zgjidhjen e problemit të veriut, kusht që e çon apo jo drejt fillimit të negociatave për integrim në Bashkimin Evropian.

Fillimisht, për orë të tëra, Vuçiç dhe presidenti Tomisllav Nikoliç, e më pas edhe kryeministri Daçiç kanë diskutuar për zgjidhjen, por në fund nuk kanë pasur përgjigje për median.

Këshilltari i Nikoliç, Marko Gjuriç ka thënë se do të vlerësohen humbjet për pranimin ose refuzimin e marrëveshjes. Por, në të dyja rastet Serbia do të humbë.

Pas takimit ka pasuar mbledhja e qeverisë ku Daçiç i ka njoftuar ministrat për gjendjen e rëndë. Partitë liberale opozitare kanë shprehur mbështetje për nënshkrimin e marrëveshjes si rrugë të vetme.

Ndërsa demokratët kanë thënë se është e papranueshme që vetëm zyrtarët e shtetit kanë njohuri për atë që është duke ndodhur. Kurse partia qeveritare Rajonet e Bashkuara të Serbisë mbështet nënshkrimin si ofertën më të mirë.

Lavrov: Jo ultimatume Serbisë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi ka thënë se ultimatumet janë të papranueshme.

“Ultimatumet për çështjen e Kosovës janë të papranueshme dhe Rusia mbështet politikën që udhëheqja e Serbisë po zhvillon për Kosovën”, ka deklaruar Lavrov.

Në këtë mënyrë Lavrov ka komentuar qasjen e BE-së, e cila ka kërkuar nga Serbia që të pranojë marrëveshjen në formën “merre ose lëre”.

Në një konferencë me gazetarë, ministri ka deklaruar se pozicioni i Serbisë korrespondon me parimet kryesore të Aktit Final të Helsinkit, që nënkupton se, zgjidhja e të gjitha problemeve duhet të arrihet me marrëveshje reciproke.

Sipas agjencisë së lajmeve “Itar-Tass”, Lavrov ka rikujtuar se, kur BE nisi ndërmjetësimin e takimeve Beograd-Prishtinë, me qëllim arritjen e çfarëdo vendimi të pranueshëm reciprocikisht, Rusia e kishte përshëndetur pozicionin e saj.

“Ne e kemi mbështetur rezolutën përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme, që miratoi përpjekjet për ndërmjetësim”, ka thënë shefi i diplomacisë ruse.

“As rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme, që i përcakton parametrat e bisedimeve, e asnjë dokument tjetër nuk paraqesin ndonjë provë se ultimatumet janë të pranueshme”, ka vijuar ai. 

Top Channel