Maqedonia dhe Serbia po avancojnë bashkëpunimin ushtarak pasi nënshkruan një marrëveshje për stërvitje të përbashkët në poligonin ushtarak maqedonas të Krivolakut.

Baza në fjalë do të përdoret për të dërguar ushtarë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, kanë bërë të ditur autoritetet maqedonase.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi mes shefit të shtabit maqedonas, gjeneral-major Goranco Koteski dhe homologut të tij serb, gjeneralit Ljubisha Dikoviç, javën e kaluar në Shkup.

“Kjo marrëveshje avancon bashkëpunimin ushtarak me Serbinë. Stërvitjet e përbashkëta do kontribuojnë në stabilitetin e mbarë rajonit”, tha gjenerali maqedonas Mitre Arsovski.

Ndërsa gjenerali Dikoviç tha se forcat e armatosura serbe kanë shpresa për rritjen e bashkëpunimit ushtarak në nivel rajonal.

“Mendimi i Shkupit është që ne të bashkojmë forcat në rajon. Bashkëpunimi me Maqedoninë mund të përmirësohet përmes avancimit, trajnimit dhe shkëmbimit të personalit, edhe në fushën ushtarako-ekonomike dhe ushtarako-mjekësore”, tha Dikoviç.

Top Channel