Aleanca Kuqezi nis në orën 11 të së dielës protestën e paralajmëruar në  kryeqytet. Për analogji me 7 prillin e pushtimit të Shqipërisë më 1939, Aleancistët kanë zgjedhur këtë datë si simbol të largimit të kreut të qeverisë Sali Berisha, të cilën e cilësojnë si pushtuesin e fundit të Shqipërisë.

Një ditë përpara zhvillimit të saj, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu për Top Channel thotë se përvec kësaj kauze, protestës i është shtuar edhe një tjetër kërkesë që këtë herë i drejtohet opozitës.

“Të dielën në sheshin ‘Skëndërbej’ mijëra shqiptarë, pa dallim bindjeje, krahine, ideje do të nisin një marshim për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi i fundit i shqiptarizimit dhe patriotizmit. Ne i kemi bërë thirrje shqiptarëve se të dielën kemi dy kërkesa: Dorëheqjen e Berishës dhe dorëzimin e tij para drejtësisë dhe thirrjen PS dhe opozitës shqiptare të tërhiqen dhe të bojkotojnë Kuvendin e Gangsterrëve”, thotë Spahiu.

Protesta do të nisë nga sheshi Skënderbej dhe do të marshojë drejt sheshit Nënë Tereza dhe do të jetë e dominuar, thotë Spahiu, nga simbolet kombëtare.

“Ne do të rrethojmë atje Kryeministrinë, ato zyra të cilat nuk ia ka lënë as trashëgimi, as amanet i pari i tij, por janë zyrat e e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ne shkojmë atje për t’i mbrojtur ato e për të treguar që nëse deri dje ata mund të ishin me vite në pushtet, nëse sot diskutohet që ata mund të jenë me ditë në pushtet, kuqezinjtë do t’u tregojnë shqiptarëve që ata nesër do të jenë me orë në pushtet”, shtoi kreu i AK-së.

Kreu i “kuqezinjve” thotë se nuk do t’i japë vendit një protestë si ajo e 21 janarit.

“I kemi marrë të gjitha masat për të shmangur çdolloj provokimi dhe i bëjmë të gjithë punonjësve të policisë dhe Gardës se të dielën nuk kanë kë të mbrojnë dhe nuk kanë nga kush të mbrohen. Lideri i kuqezinjve Kreshnik Spahiu do të jetë në krye të manifestimit. Unë do të jem i pari atje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i pari në dyert e Kryeministrisë dhe kjo është garancia më e madhe që mund të japësh për mbështetësit dhe për kauzën”, tha Spahiu.

Nëse do të ketë përfaqësues të tjerë të opozitës shqiptare kreu i AK-së thotë se në të janë ftuar shqiptarët kuqezi dhe se post 7 prilli do të vendosë për aleancat e kësaj partie.

Top Channel