Në orën 19, në Maqedoni janë mbyllur qendrat e votimit. Qytetarët, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, votuan për kryetarët në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit.

Pjesëmarrja në balotazh ishte më e ulët se në raundin e parë, që u mbajt më 24 mars. Sipas të dhënave të përpunuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, deri në orën 17, pjesëmarrja e votuesve në nivel republike ka qenë rreth 46%, apo 10% më e ulët se në raundin e parë.

Në Strugë, ku gara u zhvillua në baza etnike mes kandidatit shqiptar, Zijadin Sela, dhe atij maqedonas, Vladimir Kocovski, pjesëmarrja e votuesve ka qenë rreth 60%. Në Tetovë votuan  rreth 61% e qytetarëve, në Gostivar 45% dhe në Çair rreth 35%.

“Rënia e numrit të votuesve ka ndodhur për arsye të shumta, njëra është se në raundin e dytë nuk kemi lista për këshilltarë komunalë, e dyta është se në komunat multientike, ku vota më së tepërmi jepet në baza entike, ndoshta interesi nuk ka qenë shumë i lartë dhe moti, që sot ishte me shi, ka ndikuar në mosdalje”, tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.

Vëzhguesit vendorë kanë raportuar për të shtëna me armë, afër qendrave të votimit, blerje të votave dhe votim familjar. Megjithatë, policia e vlerëson të qetë procesin zgjedhor, ndërsa nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se parregullsitë e vogla nuk mund të dëmtojnë procesin.

“Në aspektin teknik janë evituar menjëherë disa parregullsi, që ishin në komunën Koçanë dhe Gjorçe Petrov. Në komuna të tjera nuk kemi patur çështje, që nuk kanë qenë në harmoni me procesin zgjedhor, apo me Kodin Zgjedhor. Prandaj, unë, në përgjithësi, i quaj si zgjedhje korrekte dhe demokratike”, shprehet Subhi Jakupi.

Rezultatet e para, partitë pritet që t’i shpallin në mesnatë, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, të dhënat do t’i publikojë të hënën pas mesdite. Në bazë të ligjit për decentralizim, Maqedonia ndahet në 80 komuna dhe qytetin e Shkupit, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët në 49 komuna. Më shumë vota më 24 mars tubuan partitë në pushtet VMRO-DPMNE, në bllokun maqedonas, dhe BDI, në bllokun shqiptar. Edhe në balotazh pritet, që epërsia t’u takojë këtyre dy subjekteve.

Top Channel