Qeveria e Serbisë ka vendosur atë që ishte paralajmëruar, refuzimin e ofertës së Bashkimit Evropian për një marrëveshje me Kosovën.

Vendimi i ekzekutivit beogradas ka qenë unanim dhe është pasuar me një propozim për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, sërish me ndërmjetësimin e BE-së.

“Qeveria e Serbisë nuk mund t’i pranojë parimet e propozuara sepse ato nuk garantojnë siguri të plotë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut për serbët e Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Ivica Daçiç.

“Një marrëveshje e tillë nuk mund të zbatohet dhe nuk do të sillte një zgjidhje finale dhe të qëndrueshme“, ka vijuar ai gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila është mbajtur e hapur për mediat.

Para njoftimit të këtij vendimi, në Beograd është mbajtur një takim mes patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej dhe presidentit Tomisllav Nikoliç, kryeministrit Daçiç dhe zëvendësit të tij, Aleksandar Vuçiç.

Takimi është zhvilluar në selinë e Patriarkanës dhe në qendër të tij ka qenë pikërisht Kosova dhe oferta e Brukselit për një marrëveshje mes palëve.

I pari që ka dalë nga ky takim ka qenë kryeministri Daçiç, i ndjekur më pas nga Nikoliç dhe Vuçiç, njeriu i besuar i presidentit. Asnjë prej tyre nuk bëri deklarata për mediat.

Ashton i përsërit ftesën Beogradit

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka shprehur keqardhjen e saj për vendimin e qeverisë serbe për të refuzuar propozimet e ofruara në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve me Kosovën.

E cituar nga “REL”, Ashton i ka bërë thirrje edhe një herë Beogradit që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve.

Duke rikujtuar takimet që ka zhvillluar në gjashtë muajt e fundit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Ivica Daçiç, Ashton ka thënë se, të gjitha elementet për një marrëveshje mbi veriun e Kosovës janë në tavolinë.

“Marrëveshja duhet të arrihet mes dy palëve, nuk i takon Bashkimit Evropian ta imponojë atë. Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se, sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësinë për qytetarët, veçanërisht në veriun e Kosovës, të kenë një jetë më të mirë. Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën pras dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, ka thënë baronesha Ashton.

Ajo ka shtuar më tej se, shpreson se do të zhvillojë diskutime brenda BE-së në ditët e ardhshme, në mbështetje të një hapi të vërtetë përpara për Serbinë dhe Kosovën drejt së ardhmes së tyre evropiane. 

Prishtina: Të zhgënjyer nga Serbia

Qeveria e Kosovës është shprehur e zhgënjyer nga Beogradi për refuzimin që i bëri propozimit të baroneshës Catherine Ashton, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Propozimet e dhëna nga BE ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon”, thuhet në një komunikatë për shtyp të qeverisë së Kosovës.

Në të vlerësohet se, Kosova nga ana e saj ka bërë një sërë kompromisesh që fillimisht kulmuan me pakon e Ahtisarit dhe vazhduan edhe tani në dialogun dypalësh.

“Përgjatë tërë këtij proçesi qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë të gatshme për vendime jo të lehta, por në dobi të Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, theksohet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës bën gjithashtu me dije se, ajo vazhdon të besojë se dialogu është zgjidhja e vetme dhe mbetet e përkushtuar në këtë proçes. 

Top Channel