I “vidhet” toka forcave ajrore

08/04/2013 20:00

Çështja me pronat nuk përball në gjykatë vetëm qytetarët, por edhe vetë strukturat e shtetit.
Nëpërmjet një padie, komanda e Forcave Ajrore Shqiptare, të njohura
zyrtarisht si Reparti 3001, kërkon të drejtën për pronësinë e rreth 170
mijë metrave katorë në aeroportin e Rinasit, tokë pronësia e të cilës i
ka kaluar në rrethana ende të pasqaruara administratorit të areoportit
“Nënë Tereza”.

Si palë e paditur, përveç areoportit është edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, si dhe ZRPP e Krujës.

Ky proçes civil po adminisrohet nga gjyqtari civilist Neritan Cena, ndërkohë që mësohet se për sipërfaqen prej mbi 170 mijë metra katorë, të cilat janë ende të rrethuara me tela me gjemba dhe që konsiderohen zonë ushtarake, pronësia e tyre në letër nuk i takon Forcave Ajrore, por areoportit.

Gjykata ka caktuar nga ana e saj një ekspert topograf, Kajtaz Alikaj, i cili do të kryejë matjet në terren dhe përllogaritjet edhe të objekteve të Forcave Ajrore që kanë kaluar në heshtje, nën pronësi të areoportit civil.

Po ashtu, gjykata pret nga eksperti nën betim të përcaktojë një planvendosje të veçantë të pronës që i ka kaluar në pronësi aeroportit civil, të krahasohet nëse nga planvendosjet rezulton që ka apo jo mbivendosje.

Proçesi është shtyrë për në datën dy maj pas urdhërit të gjykatës, për të tërhequr nga ZRPP e Krujës dokumentacionin e duhur për gjyqin, ndërkohë që seanca e radhës u caktua për në datën 2 maj.

Top Channel