Një masakër e çmendur ka ndodhur në Serbi, ku një person ka vrarë me breshëri armësh zjarri 13 persona, duke u përpjekur më pas të vrasë bashkëshorten dhe të vetëvritet.

Masakra, bëjnë të ditur mediat lokale, është verifikuar mëngjesin e së martës në Velika Ivança, një lokalitet në jug të Beogradit.

Viktimat e të shtënave janë gjashtë burra dhe gjashtë gra, si dhe një fëmijë 2 vjeç. Ndërkohë, vrasësi dhe bashkëshortja janë në gjendje të rëndë.

Të panjohura, të paktën për momentin, motivet e masakrës. Vrasësi, sipas hetimeve paraprake, ka qëlluar me një armë që dyshohet se e kishte me leje. Ai është 60 vjeç dhe i identifikuar me emrin Ljubisa B.

Shefi i policisë serbe, Milorad Veljoviç, që ndodhet në skenën e krimit, ka deklaruar për mediat lokale se, autori është një person që vjen nga një familje e qetë dhe që nuk ka pasur preçedentë penalë. “Jemi të gjithë të tronditur”, ka thënë numri një i policisë.

Ndërkohë, agjencia “Associated Press” raporton se viktimat janë kryesisht të afërm dhe fqinjë të autorit. Banorë të zonës kanë deklaruar se ai qëlloi fillimisht djalin e tij para se të largohej nga shtëpia dhe të hapte zjarr ndaj fqinjëve. 

Top Channel