Komisioni i punëve të jashtme në Parlamentin Evropian miratoi rezolutën
për Maqedoninë, ku vendeve anëtare të BE-së i përsëritet thirrja që të
çelin negociatat për anëtarësim me vendin, para fundit të muajit
qershor.

Moszgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë ka bllokuar integrimin e vendit, i cili gëzon statusin kandidat që prej vitit 2005.

“Ky është një raport që i jep shpresë të gjithëve në vend, pavarësisht politikave apo kombësive të tyre, se ka një të ardhme evropiane dhe sërish këtë vit PE do të përsërisë se bisedimet për anëtarësim duhet të nisin pa vonesa. Kjo ushtron presionin e duhur, jo vetëm në vend, por edhe këtu në Bruksel ndaj Këshillit të BE-së”, deklaroi Richard Howitt, raportues i PE për Maqedoninë.

Rezolutat e Parlamentit për çështjet e jashtme janë në fakt vetëm këshillimore dhe nuk kanë ndonjë fuqi mbi vendimet e vendeve anëtare.

Në tekstin e miratuar, një pjesë e mirë i kushtohet krizës politike në vend, marrëdhënieve të vështira ndëretnike dhe atyre me fqinjët.

Maqedonisë i kërkohet gjithashtu të luftojë korrupsionin, të garantojë në praktikë një gjyqësor të pavarur dhe lirinë e medias. Kjo rezolutë pritet të votohet në seancë plenare në muajin maj.

Top Channel