BSH: Duhen reforma antikrizë

09/04/2013 00:00

Banka e Shqipërisë i kërkoi politikës të gjejë konsensusin për një
paketë të domosdoshme reformash, zvarritja e të cilave sipas saj, po
frenon rritjen ekonomike dhe ve në rrezik qëndrueshmërinë financiare të
vendit. E para është miratimi me urgjencë i ndryshimeve në Kodin e
Procedurës Civile.

“Bëhet fjalë për një grup propozimesh, të cilat si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e ekspertëve ndërkombëtare vlerësohen të domosdoshëm, në drejtim të stabilitetit të sistemit bankar, në drejtim të garantim të depozitave të popullatës, si dhe në drejtim të gjallërimit për rilindjen e ekonomisë. I kam dërguar një letër kryetarëve të partive kryesore, njëkohësisht edhe kryetarëve të komisioneve përkatëse në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme të sistemit bankar dhe të ekonomisë shqiptare”, tha Guvernatori.

Ndërhyrja e dytë e propozuar është vënia nën kontroll e borxhit publik, i cili që pas vitit 2008 është në rritje të pandalshme.

“…për gjetjen e një konsensusi politik, i cili do të mundësojë vendosjen e një rregulli fiskal në interes të ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike dhe të besimit të investitorëve në ekonominë shqiptare”, tha Fullani.

Për herë të parë Banka Qendrore e ka vënë theksin edhe tek reforma e skemës së pensioneve. Guvernatori sqaroi arsyet se pse kjo masë është e domosdoshme.

“Deficitet e krijuara prej tyre janë në rritje dhe ato mund të cënojnë shumë parametra fiskalë dhe financiarë të vendit në të ardhmen. Kjo reformë duhet t’i hapë rrugë zhvillimit të segmenteve relativisht të prapambetura të sistemit financiar, atyre të fondeve private të pensioneve dhe të sigurimeve”, tha Fullani.

Paralelisht në raportin vjetor që u paraqit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, ekspertët e Bankës kërkojnë një sërë masash të tjera për të rritur rezistencën e ekonomisë ndaj krizës së Eurozonës.

Top Channel