Kryeministri serb, Ivica Daçiç, gjatë vizitës së tij në Moskë ka
siguruar një kredi prej 500 milionë dollarësh nga qeveria ruse, si
mbështetje për ripërtëritjen e ekonomisë serbe.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave kredia ka një afat 10-vjeçar dhe një normë interesi prej 3.5 për qind.

Megjithatë, ajo nuk është as sa gjysma e shumës që Serbia kërkonte nga partneri i saj strategjik për të rimëkëmbur ekonominë vendase, pas rënies në reçesion vitin e kaluar.

Një ditë më parë, Daçiç, në takimin me homologun Dmitry Medvedev mori mbështetje edhe për çështjen e Kosovës, por edhe këtu jo aq sa priste.

Kjo, pasi Medvedev i tha atij se, çështjen në fjalë Serbia duhet ta zgjidhë vetë pasi ajo është një privilegj vetëm i Serbisë.

“Nuk duhet ta nxisim ne këtë proçes, por Serbia. Ju duhet të jeni tejet të interesuar në adresimin e duhur të kësaj çështjeje”, tha Medvedev.

Ndërkohë, kryeministri Daçiç pritet të takohet edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin do të trajtojë një sërë çështjesh me interes për të dyja vendet.

Top Channel