Rrugën e drejtësisë ka marrë një denoncim që i është bërë Organizmit të Shërbimit Publik, OASTH në Selanik, për një akt me motive raciste që ka kryer një shofer autobusi i një linje të brendshme të qytetit, i cili ka zbritur nga mjeti që drejtonte dy pasagjerë afrikanë.

Prokuroria ka urdhëruar fillimin e një hetimi paraprak nga Departamenti i Përballimit të dhunës raciste në Selanik, për të pare nëse akti i shoferit përbën vepër penale.

Në denoncim thuhet se, ai ka nxjerrë me forcë jashtë autobusit dy emigrantë afrikanë, ndërsa protestave të pasagjerëve të tjerë për sjelljen e tij, ai u është përgjigjur me egërsi, duke i kërcënuar se është anëtar i Agimit të Artë dhe duke u treguar edhe një varëse me simbolin dallues të kësaj partie.

I pyetur nga drejtuesit e Shërbimit Publik ku ai punon, shoferi grek ka deklaruar se u ka bërë kontroll dy pasagjerëve dhe pasi i ka gjetur pa bileta i ka zbritur ata nga autobusi sipas rregullit, por nuk ka sqaruar përse nuk ka kontrolluar edhe pasagjerët e tjerë.

Ngjarja, e para e këtij lloji në Greqi, është pasqyruar gjatë nga mediat vendase dhe të huaja që shpesh herë me reportazhet e tyre theksojnë rritjen e rasteve të dhunshme me motive raciste të anëtarëve të Agimit të Artë në Greqi. Karakteristik është reagimi i socialistëve grekë, iniciatorët e luftës kundër diskriminimeve raciale në vend, që midis të tjerave theksojnë:

“Në vitin 1955 afroamerikania Roza Parks kundërshtoi t’i lironte vendin e saj në autobus një të bardhi dhe u arrestua. Kjo ngjarje shënoi fillimin e fundit të diskriminimit racial në SHBA, që 58 vjet më vonë kanë një president afroamerikan që udhëheq vendin. Ndërsa shoferi i autobusit në Selanik e ktheu Greqinë me këtë akt shumë vite pas, ndaj duhet menjëherë të reagojë shoqëria, pasi Agimi i Artë po e helmon atë pak nga pak”.

Top Channel