Kryetari i Parlamentit maqedonas, Trajko Veljanovski vlerëson se parlamenti i çdo vendi pretendent për në Bashkimin Evropian luan rol shumë të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të nevojshme për anëtarësim.

Duke folur për kontrollin ndaj pushtetit, Vlejanovski tha se për një gjë të tillë nevojitet një parlament i fuqishëm. Këto komente ai i bëri në Shkup, gjatë një konference ndërkombëtare me temë “Integrimi evropian përmes bashkëpunimit parlamentar të vendeve të Evropës juglindore”.

“Ç’do shtet kalon nëpër periudha të cilat janë sfiduese për demokracinë, prandaj duhet të jemi plotësisht të syhapur në ato momente kur Parlamenti shëndrrohet në vegël për përplasje të forta personale, sepse nga kjo humb gjithë vendi. Në momente të tilla brengosëse, tradhëtohen qytetarët dhe vihen në pikëpytje korrektësia dhe konstruktiviteti politik”, deklaroi Veljanovski.

Edhe diplomatët ndërkombëtarë në Maqedoni folën për rëndësinë që luan parlamenti në integrimin e vendit në BE, ndërsa zëvendëskryeministri për çështjet evropiane, Fatmir Besimi tha se integrimi i vendit në strukturat euroatlantike nuk është detyrë vetëm e qeverisë.

“Platformat për dialog rajonal do t’ju mundësojnë të merrni leksione dhe përvoja që të mësoni prej të tjerëve, të cilët janë përballur me sfida të ngjashme. Këtë e mundëson proçesi i bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Jemi të vetëdijshëm se qëllimi i Maqedonisë ka qenë dhe është integrimi në BE dhe NATO. Qeveria e SHBA-së mbetet e përkushtuar ta ndihmojë Maqedoninë në këtë proçes”, deklaroi ambasadori amerikan Paul Wolers.

Në Parlamentin e Maqedonisë disa herë në vend të debatit janë parë skena dhune. Në dhjetor të vitit të kaluar, deputetët e opozitës maqedonase dhe gazetarët u larguan me dhunë nga sigurimi i Kuvendit, gjatë seancës ku po miratohej buxheti shtetëror.

Diplomatët e huaj bënë thirrje që të formohet sa më parë komisioni anketues për zbardhjen e ngjarjeve të dhunshme të 24 dhjetorit, që çuan opozitën drejt të bojkotit të Parlamentit.

Top Channel