BE, shqetësim për lëvizjet në KQZ

15/04/2013 19:20

Bashkimi Evropian u është bashkuar shqetësimeve të faktorit ndërkombëtar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarit të LSI në KQZ.

Përmes një komunikate për shtyp dërguar mediave pasditen e së hënës, BE ka kritikuar lëvizjet e fundit të mazhorancës, të cilat sipas tij cënojnë besueshmërinë e proçesit zgjedhor të 23 qershorit.

“BE-ja shpreh shqetësim dhe ndan shqetësimet e partnerëve të tjerë lidhur me pasojat e mundshme të votimit në Parlament tek besimi i njerëzve në proçesin elektoral”, thuhet në komunikatë.

Përmes misionit të tij në kryeqytet, Unioni vlerëson më tej se, “të gjithë krahët politikë kanë përgjegjësi për të siguruar natyrën e paanshme të administratës elektorale”.

Javën e kaluar ishte zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, që në një intervistë telefonike për Top-Channel deklaroi qëndrimin e Komisionit Europian ndaj kësaj çështjeje, e cila po ndiqet me shumë shqetësim.

Zoti Stano nënvizoi faktin se, sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhen shkarkuar nga detyra në një mënyrë profesionale, të paanshme dhe duhet të funksionojnë pa pengesa, në mënyrë transparente e jo partizane.

“Duhet të garantohet pavarësia e KQZ-së, pasi anëtarët e zgjedhur janë betuar të jenë jo të njëanshëm dhe të pavarur. Të gjitha palët politike kanë detyrimin të sigurojnë kredibilitetin e KQZ-së, duke garantuar po ashtu edhe besueshmërinë e këtij komisioni tek publiku”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vlerësimin që do të japin vëndet antare të BE-së.

”Zgjedhjet, sigurisht edhe fushata elektorale, do të duhet të tregojnë një shenjë tjetër maturie të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. E gjitha kjo do të jetë objekt vlerësimi nga vendet anëtare kur ato të marrin një vendim për Shqipërinë, gjatë proçesit të negociatave për zgjerim”, tha Stano.

Top Channel