”Maqedonia e Epërme” mund të jetë emërtimi që mund të zgjidhë problemin 20-vjeçarë të fqinjëve tanë lindorë me Greqinë, mbi çështjen e emërtimit të shtetit.

Aktualisht, Maqedonia njihet zyrtarisht si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, pasi Greqia ka vendosur veton kundër njohjes së shtetit me emrin e shkurtuar, pasi ai përkon me emërtimin e një krahine brenda shtetit helen.

Ditën e martë, një burim brenda ekipit negociues, tha për shtypin maqedonas se propozimi i fundit për zgjidhjen e çështjes së emrit bazohet në termin: “Maqedonia e Epërme”.

Një emër i tillë, megjithatë mund të mos jetë i përjetshëm, por thjesht një zgjidhje e mesme për të shmangur veton greke kundër anëtarësimit të Shkupit zyrtar në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Negociatat për anëtarësimin në BE, do të zgjasin në rastin më të mirë shtatë vjet.

Gjatë kësaj periudhe, Maqedonia mund të vazhdojë të mbajë bisedime me Greqinë, në mënyrë që të gjejë një zgjidhje më të përshtatshme për emërtimin e saj.

Athina zyrtare kundërshton njohjen e emrit Maqedoni me argumentin se ai i referohet një krahine gjeografike në Greqi. Si kush për njohjen, qeveria greke kërkon shtimin e një përcaktuesi të dytë, përpara ose pas emrit të Republikës Maqedonase.

Top Channel