Policia greke ka arrestuar mesditën e së premtes tre mbikëqyrësit grekë në plantacionet e luleshtrydheve, në një prej prefekturave të gadishullit të Peloponezit, prej të cilëve të paktën njëri akuzohet se ka qëlluar para dy ditësh me armë mbi një turmë prej 200 emigrantësh, duke plagosur rreth 30 prej tyre.

Bëhet fjalë për dy vëllezër 21 dhe 27 vjeç dhe një vendas tjetër, 37. Gjithashtu, është arrestuar edhe një 38-vjeçar i cili strehonte të kërkuarit nga policia.

Një prej dy vëllezërve që qëlloi mbi emigrantët pasi ata protestonin për pagat që nuk u ishin dhënë prej gjashtë muajsh, ka në dosjen e tij penale të regjistruar edhe një sulm tjetër me motive raciste, për të cilin ende nuk ka dalë në gjyq.

Me akuzën e nxitjes së tentativës për vrasje dhe të dhunës ndaj emigrantëve të huaj, mbahet në arrest edhe pronari I fermës së luleshtrydheve.

Për të hetuar më mirë për ngjarjen që ka tronditur Greqinë, në vend kanë mbërritur në komunen e Manoladhës nje ekip i Departamentit për Përballimin e Dhunës Raciste, funksionarë të lartë të policise dhe ministri i Rendit Nikos Dhendias.

Pasi ka dënuar ngjarjen, ministri ka theksuar se ajo që ndodhi nuk ka lidhje me kulturën greke, ndërsa ka premtuar se asnjë prej emigranteve të huaj, viktima të këtij sulmi nuk do të dëbohet edhe po të jetë pa leje qëndrimi.

Pamjet me kamera amatore disa çaste pasi janë qëlluar emigrantët, si dhe nga spitali ku ata kurohen, janë tepër tronditesë.

“Kjo nuk është hera e parë që regjistrohet një sulm i dhunshëm kundër emigrantëve”, shkruan “NYT”, duke bërë thirrje për bojkotazh të luleshtrydheve të zonës.

”Emigrantët kërkuan pagat dhe u qëlluan me armë”, shkruan dhe  gjermania “Der Spiegel”, që thekson edhe kushtet çnjerëzore ku ata jetojnë.

Xhiroja e “luleshtrydheve të përgjakura”, siç karakterizohen nga mediat greke, arrin në mbi 100 milionë euro në vit, të cilat përfundojnë në xhepat e fermerëve të zonës, pasi nuk paguajnë jo vetëm sigurimet shoqërore për mijëra emigrantë që punësojnë përkohësisht dhe që i trajtojnë si skllevër, por edhe taksat ndaj shtetit.

Top Channel