Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, vlerëson se përsëritja e zgjedhjeve në Strugë dhe komunën Qendër, ditën e dielë, është dëshmi se pushteti dëshiron t’i marrë me forcë edhe ato komuna, që i ka fituar opozita.

Organizimi i dobët i zgjedhjeve lokale, blerja e votave dhe kërcënimi i
votuesve dëshmojnë qartë se Maqedonia po shkon drejt diktaturës.

“Zgjedhje më të tmerrshme se këto nuk kam parë në këto 20 vitet e fundit. Është shumë e qartë, që qeveria shkon me të gjithë mjetet, që mundësisht të eliminojë çdo komunë, që mund ta fitojë ose e ka fituar opozita. Edhe prej qiellit duket se është uvertyrë, apo hapje e dyerve për një diktaturë të re”, u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Kreu i PDSH-së, këto komente i ka bërë pas një takimi me drejtorin e Departamentit amerikan të Shtetit për Europën, Jonathan Moor, të cilit i ka shprehur shqetësimin e tij për bllokimin e proceseve integruese të vendit, mungesën e lirisë së mediave dhe shkejen e të drejtave të njeriut në Maqedoni.

“Normalisht, kjo është një gjendje alarmante për gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Ramë dakord se procesi eurointegrues për Maqedoninë është imuniteti gjeneral, që i garanton shëndet këtij shteti. Thyerja e shpresës për këtë proces do t’i paraqesë 100 sëmundje ardhmërisë së Maqedonisë”, shtoi Menduh Thaçi.

Thaçi foli edhe për përplasjet e fundit në koalicionin qeveritar, mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kreut të qeverisë, Nikolla Gruevski, lidhur me nevojën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Sipas Thaçit, bëhet fjalë për debate artificiale mes dy aleatëve qeveritarë.

Top Channel