Qeveria serbe ka aprovuar marrëveshjen me Kosovën të arritur më 19 prill në Bruksel.

Në mbledhjen e zhvilluar mëngjesin e të hënës, pa praninë e mediave, Qeveria vendosi të aprovojë paktin historik.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç pas vendimit të marrë në Qeveri, i telefonoi Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, për t’i dhënë personalisht lajmin e fundit.

Sipas një njoftimi nga zyra e kryeministrisë serbe, thuhet se miratimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi, ka qenë unanim nga kabineti qeveritar.

Për këtë vendim të sotëm, kryeministri serb ka njoftuar personalisht edhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Beograd, Vincent Deger, të cilit i ka dorëzuar letrën formale të miratimit të marrëveshjes bazë me Prishtinën nga ana e qeverisë së Serbisë.

Aleksander Vucic, zëvendëskryeministër, ka theksuar se nëse është nevoja organizohet edhe referendum, por të gjitha partitë kanë deklaruar se nuk është bërë tradhti. Gjatë javës, pritet që Kuvendi i Serbisë të diskutojë dhe ta miratojë dokumentin për Kosovën.

Disa parti të vogla, kanë deklaruar se në vazhdimësi do të organizojnë protesta kundër marrëveshjes pasi Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Më herët, Kryeministri Ivica Daçiç, pati deklaruar se do të ishte pikërisht Qeveria që do të merrte një vendim për marrëveshjen, sepse bëhej fjalë për një çështje që i përket politikave të brendshme dhe të jashtme të vendit.

“Nëse Qeveria e pranon marrëveshjen, unë pres që BE të nise bisedimet për anëtarësim me Serbinë”, deklaroi një ditë më parë Daçiç.

Top Channel