Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Malin e Zi konfirmoi Filip Vujanoviçin si fituesin e zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në 7 prill.

Vujanoviç doli fitues pas votimit të parë, por shpallja zyrtare e rezultatit u vonua për shkak të apelit të opozitës, për parregullsi të evidentuara gjatë procesit të votimit.

Sipas rezultatit zyrtar të votimit, Vujanoviç grumbulloi në total 51,2% të votave, ndërsa kundërshtari i tij, Miodrag Lekiç, 48,79% të votave, me një diferencë totale prej 7 mijë votash.

Në dy javët që pasuan votimet, deri në publikimin e këtij rezultati zyrtar, Lekiç organizoi një seri tubimesh, pasi rreth 11 mijë shtetas pa dokumentacionin e duhur zgjedhor nuk u lejuan të merrnin pjesë në zgjedhje.

Një prej përkrahësve të pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia, Filip Vujanoviç, 58-vjeçar, është president i fqinjit tonë verior që prej vitit 2003. Në periudhën 1998-2002 ai shërbeu si kryeministër.

Top Channel