Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se marrëveshja e
arritur në Bruksel është historike dhe ka hedhur poshtë deklaratat se në
këmbim të datës së negociatave shteti serb shiti Kosovën.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes me Prishtinën është shpëtuar ajo që mund të shpëtohet. Është një farsë qëndrimi i një pjese të opinionit publik se Kosova është shitur në këmbim të datës”, ka thënë Daçiç.

Duke folur për televizionin publik serb, kreu i qeverisë serbe ka theksuar se anëtarësimi në BE përbën një interes kombëtar, pasi mundëson përmirësimin e jetesës së popullit serb.

“Rusia është larg dhe ne nuk mund të mbetemi vetëm, të rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së. Nuk mund të kemi të ardhme më të mirë nëse qëndrojmë jashtë integrimeve”, ka vlerësuar Daçiç.

Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në negociatat për anëtarësimin në BE të paraqiten kushte të reja. “Prandaj, loja duhet luajtur mirë“, ka thënë Daçiç.

Duke iu rikthyer marrëveshjes, kryeministri ka nënvizuar se ajo garanton të drejtat e serbëve të Kosovës, duke shtuar se ka marrë garanci nga NATO dhe BE se FSK-ja nuk do të ndërhyjë atje.

“Ushtria e ardhshme e Kosovës, apo cilido formacion tjetër, mund të hyjë në territorin e katër komunave vetëm me pëlqimin e KFOR-it dhe të serbëve, në ndonjë rast katastrofe. Nuk mund të merrnim garanci më të madhe”, ka thënë Daçiç.

Ai është shprehur i vetëdijshëm se nga marrëveshja ka të pakënaqur, por ka ritheksuar se ajo i shërben të ardhmes së vendit dhe gjeneratave të reja.

“Ndoshta disa do të na urrejnë, por gjeneratat e ardhshme do të na respektojnë që kemi arritur këtë zgjidhje, pasi është më mirë të evitojmë stuhinë e ardhshme në Kosovë dhe më pas të mbajmë lutje fetare”, ka pohuar Daçiç.

“Kjo qeveri e ka marrë përsipër përgjegjësinë. Kushdo mund të sakrifikohet personalisht, por askush nuk ka të drejtë të sakrifikojë gjithë popullin. I tërë populli serb është sakrifikuar gjatë njëqind viteve të kaluara“, ka shtuar ai.

Top Channel