Nënshkrimi i kryeministrit serb, Ivica Daçiç në marrëveshjen me Kosovën i
ka sjellë Serbisë negociata të reja për integrimin në Bashkimin
Evropian.

Ëndrra e vjetër, shpesh e paqartë, është realizuar përkundër kërcënimeve, thirrjeve për tradhti dhe protestave. Serbia ka treguar se ka ende shumë elementë nacionalistë brenda, por reagimet nuk kanë qenë siç janë pritur.

Për Nenad Gjurgjeviç, drejtorin e Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, është e qartë se pjesa kryesore e marrëveshjes është pikërisht zbatimi i saj, pasi siç thotë ai, ka shumë rrezikshmëri jo vetëm për shkak të refuzimit të serbëve të Mitrovicës, por edhe për faktin se marrëveshja është shumë e përgjithshme. Por, Kosova dhe Serbia kanë një rast të ri.

“Serbia e ka pranuar realitetin në Kosovë, ka pranuar që nuk kontrollon zhvillimet në Kosovë, që status quo-ja nuk është e qëndrueshme, ka pranuar subjektivitetin e Kosovës, por jo edhe pavarësinë. Për këtë arsye do të kemi një dyzim ligjor dhe secila palë do të ketë interpretimet e saj, por është e qartë që Serbia ka njohur institucionet të cilave do t’i përgjigjet edhe veriu”, thotë Gjurgjeviç.

E paqartë mbetet edhe inkuadrimi i strukturave të sigurisë, ekzistenca e të cilave mohohej. Alleksandar Radiç, analist politiko-ushtarak dhe një nga ekspertët më të mirë, thotë se nuk do të merret vesh kurrë se sa agjentë dhe punonjës sigurie kanë qenë në Kosovë, por ka modele të zbatimit dhe gjithmonë do të ketë struktura sigurie.

“Problemi më i madh në veri janë strukturat që nuk janë ilegale ndaj Serbisë, por në njëfarë forme mund të krijojnë një mekanizëm të ri të strukturave informative. Këta janë njerëz që kanë qenë bashkëpunëtorë të strukturave të ndryshme, të cilët formalisht nuk kanë qenë në marrëdhënie pune tek Serbia, por kanë pasur privilegjet e tyre. Këta persona nuk do t’i takojnë as Beogradit, as Prishtinës. Më e lehtë do të jetë me integrimin e policisë, pasi ekzistojnë proçedura dhe ka pasur raste si në Sllavoni, ku serbët i janë bashkuar policisë kroate, apo kryengritësit shqiptarë në jug të Serbisë”, thotë Radiç.

Serbinë pritet ta vizitojë komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle.

Top Channel