Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, është duke bërë hapa pas në rrugën e saj drejt integrimit europian.

Lajçak, njëkohësisht ish-raportuesi i Komisionit Europian për zhvillimet në Bosnje, tha: “Është një fakt që komisioneri Stefan fule u largua nga Bosnja në 11 prill shumë i zhgënjyer. Është gjithashtu fakt, që përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, i bëri të qartë shqetësimin e saj në vizitën e mbajtur së fundmi në Sarajevë dhe Srebrenicë”.

Duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar midis Serbisë dhe Kosovës, në një intervistë për të përditshmen boshnjake “Dnevni Avaz”, Lajçak shtoi: “Tashmë, vetëm Bosnja duket se ka mbetur pas dhe nuk po bën më progres në rrugën drejt integrimit europian”.

Në ndarjen e përgjegjësive, ministri i Jashtëm sllovak u tregua i qartë në fajësimin e politikanëve boshnjakë, të cilët “në tre vitet e fundit, nuk kanë treguar asnjë vullnet për të zgjidhur problemet kryesore që pengojnë integrimin”.

Top Channel