Letta, kryeministri i ri i Italisë

24/04/2013 00:00

Zëvendëssekretari i Partisë Demokratike në Itali, Enrico Letta, pritet të shndërrohet në kryeministrin e ardhshëm të Italisë, pasi presidenti Giorgio Napolitano i kërkoi zyrtarisht ditën e mërkurë që të formojë një koalicion të gjerë parlamentar.

Kjo është tentativa më serioze e presidentit 88-vjeçar, i rizgjedhur gjatë javës për një mandat të dytë, për t’i dhënë fund krizës së gjatë politike në Itali, për shkak të zgjedhjeve pa fitues te shkurtit.

Partia Demokratike, e cila në Itali i përket qendrës së majtë, fitoi në ato zgjedhje një shumicë të lehtë në Parlament, por jo në Senat dhe asnjë koalicion nuk mund të formonte shumicën, nëse koalicioni i Berlusconit (i renditur i dyti) dhe Partia “Cinque Stelle” e komedianit Grillo nuk do të pranonin të merrnin pjesë në qeveri, pasi asnjë variant tjetër nuk do të prodhonte një shumicë në Senat.

Negociatat e gjata midis forcave kryesore që prej zgjedhjeve të 24-25 shkurtit nuk arritën të prodhinin asnjë marrëveshje dhe ftesa që Napolitano i dërgoi Lettas, për të udhëhequr një qeveri të re, duket si formula “magjike” për të zgjidhur ngërçin politik, pasi ai ka mbështetjen e Bersanit dhe Berlusconit, udhëheqësve kryesorë të së majtës e të djathtës italiane, përkatësisht.

Në deklaratën e tij, Letta theksoi se në rast se do të marrë votëbesimin për të udhëhequr Italinë, veprimi i tij i parë do të jetë ndryshimi i programit të shkurtimeve, për të ndrequr problemet me borxhin e jashtëm.

Një veprim i tillë, i kundërshtuar nga ish-qeveria e Montit që kërkon shkurtime të thella, duket se përkrahet prej dy forcave kryesore dhe ekspertët parashikojnë se mund të marrë edhe mbështetjen e lëvizjes së Grillos.

”Politikat europiane për përballimin e borxhit janë shumë të fokusuara tek shkurtimet, të cilat nuk janë më të mjaftueshme”, deklaroi Letta, pas një takimi me dyert të mbyllura me presidentin në Romë.

Në fjalën e tij, 46-vjeçari shtoi se pranoi postin mbi të gjitha sepse njeh “përgjegjësinë e jashtëzakonshme” dhe faktin se “klasa politike italiane ka humbur besimin popullor”, në një moment të cilin kryeministri i ri e cilësoi si “udhëkryq historik” për Italinë.

Përveç mbështetjes së Partisë Demokatike dhe Partisë së Popullit të Lirë (e drejtuar nga Berlusconi), disa parti të tjera parlamentare kanë shprehur mbështetjen për figurën e Lettas dhe votëbesimi në Parlament, i parashikuar për t’u mbajtur menjëherë pasi të përpilohet lista e ministrave, pritet të jetë vetëm një formalitet.

Letta është nipi i shefit të stafit të ish-kryeministrit Berlusconi, Gianni Letta, një prej njerëzve me më shumë influencë brenda së djathtës.

Një koalicion me bazë të gjerë do të rikthente në qeveri të djathtën e 76-vjeçarit Berlusconi, i cili kështu do të rikthehet të jetë një figurë e rëndësishme në politikën italiane.

Sipas parashikimeve, qeveria e re e Lettas do të përpiqet të zbatojë një varg reformash ekonomike dhe institucionale.

Midis përparësive do të jetë tentativa për të ndryshuar ligjin elektoral, i cili e bën tepër të vështirë formimin e një qeverie, në kushtet e mospasjes së një shumice të qartë votash në zgjedhje.

Presidenti Napolitano nisi këtë javë mandatin e tij të dytë, pasi asnjë figurë tjetër nuk siguroi mbështetje për postin e presidentit. 88-vjeçari kishte kërcënuar me dorëheqjen e tij, nëse liderat politikë nuk do të pranonin të formonin një qeveri.

”Ngërçi” dy-mujor politik në Itali ka ndikuar negativisht në krizën ekonomike të ekonomisë së tretë më të madhe në Eurozonë.

Aktualisht, Italia është duke u përballur me rënien ekonomike më të gjatë në 20 vjet, që ka shkaktuar rënien e indekstit të kreditit në vlerësimin e rrezikshëm BBB+.

Gjithashtu, Italia përballet me një borxh kombëtar kolosal, i cili kap vlerën e 2,6 trilion dollarëve (120% e PBB-së).


Kush eshte Enrico Letta?

Eshte i ri, vetem 46 vjeç, deri perpara pak ditesh zevendessekretar i Partise Demokratike te majte, por i pelqen edhe te djathtes, e mbi te gjitha i shquar per aftesite e tij si ndermjetes.

Me pak fjale mund te skicohet keshtu profili i Enrico Lettes, i ngarkuar nga presidenti Giorgio Napolitano per krijimin e qeverise.

I rritur ne Strasburg, ai eshte diplomuar ne Pisa per te drejte nderkombetare. Shpesh e therrasin “enfant prodige” sepse ka ndjegur te gjitha etapat.

Ne moshen 25-vjeçare ishte kryetari te rinjve te Partise Popullore Europiane. Kishte mbushur 32 vjeç kur iu besua drejtimi i Ministrise per Politikat Komunitare, duke u bere ministri me i ri ne historine e Republikes, duke ia kaluar edhe Giulio Andreottit qe eshte bere minister per here te pare ne moshen 35-vjeçare.

Nese arrin te krijoje qeverine, Enrico Letta do te jete kryeministri me i ri europian. Enrico Letta eshte nipi i bashkepunetorit me te ngushte te Silvio Berlusconit, Gianni Letta, nensekretar i Kryeministrise.

I bashkon aftesia si ndermjetes, por ndryshojne nga njeri-tjetri per bindjet politike dhe deshiren per reformim.

Pikerisht, fryma reformiste qe sjell Enrico Letta ka qene ndoshta shtysa per ta zgjedhur si kryeminister te mundshem, ne nje moment delikat kur vendi ka nevoje per reforma politike dhe per te perballuar emergjenca ekonomike.

Top Channel